U plagos në demonstratat e 90-tës, pasojat i vuan akoma!

E publikuar: 27/01/2018 23:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avni Doberdolani që u plagos në demonstratat e viteve ’90 thotë se të plagosurit si ai janë harruar nga shteti.

Doberdolani tha se ende vuan nga pasojat e plagosjes prej policisë serbe në janar të vitit 1990.“Ndihmën e parë e kam marrë në Drenas, por lëndimi ka qenë masiv,nuk kanë guxu as me më prekë, as kurrgjë, edhe më kanë pru në Prishtinë. Kam qëndru 1 muaj në spital, pas një muaji me kanë liruar dhe kam qëndru dy vjet me shtaga”, tha Doberdolani.
Ai tregoi se ditën kur u plagos, u vranë tre demonstrues dhe 30 u plagosën.

“Ka ardh policia diku rreth orës 15:00 edhe ka zgjatë dikun ndoshta 10 minuta veç kanë qenë në pyetje përgatitjet e policisë dhe kanë fillu me gjujtë. Kanë qenë diku rreth 30 veta të plagosur dhe tre të vdekur “shprehet Doberdolani.

Ai e konsideroi absurd anashkalimin e kategorisë së të plagosurve në këto demonstrata nga shteti.

“Në të gjitha periudhat që kanë qenë me demonstrata, ata që kanë qenë të ndjekur politikisht dhe të dënuar, të gjithë kanë marrë një lloj mirënjohje, një njohje prej qeverisë. Anashkalimi vetëm për ne është absurd. Në qoftë se personi që ka qenë krah për krah me mu është vra e është shpallur dëshmor, ndërsa ne anashkalohemi, kjo nuk ka kuptim”, tha Doberdolani.

Ai bëri të ditur se nga një takim në Prishtinë i personave të kësaj kategorie nuk doli asgjë.

“Para një viti i kam bërë disa fotografime jo vetëm unë, por edhe shokët e tjerë, i kanë kërku në Prishtinë. E kanë pasë një takim, një konsultim, por nuk ka dalë asgjë na ajo”, tha Doberdolani.

Zyra e Kryeministrit tha për Kallxo.com se Qeveria e Kosovës më 29 dhjetor te vitit 2016 ka funksionalizuar një Komision Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të UÇK-së.

“Në këtë kategori përfshihen edhe personat e rënë në demonstrata apo rrethana të tjera historike. Vendimi ka qenë i bërë publik dhe të gjithë ata që kanë aplikuar, Komisioni ka shqyrtuar statusin e tyre. Nëse familjarët e këtyre personave që janë vrarë në demonstratat e viteve ’90-ta, kanë aplikuar për njohjen e statusit, sigurisht që Komisioni i ka shqyrtuar ato”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa për personat e plagosur në këto demonstrata në përgjigjen e zyrës së kryeministrit thuhet se nuk është pranuar ende asnjë kërkesë zyrtare nga komisioni.

Sipas statistikave deri në fund të vitit 2016 në komision janë dorëzyuar aplikacione për 20 persona të vrarë në periudha të ndryshme historike