Teksa po mbahet seanca gjyqësore për të dhënë masën e sigurisë ndaj punonjësit të Patrullës në Komisariatin e Policisë së Durrësit, Fatmir Meço, i akuzuar për shitje droge, ai ka pranuar para togave të zeza se është përdorues droge
Avokati mbrojtës ka deklaruar se 33-vjeçari prej dy vjetësh e gjysmë punon polic. 33-vjeçari është me origjinë nga Gjerbesi i Skraparit.
“Ai ka pranuar që është përdorues. Iu kap vetëm 46 gramë që e ka për përdorim vetjak. Indicia erdhi nga banorët e lagjes të cilët ngritën shqetësim për përdoruesit e drogës. Është përdorues dhe jo shpërndarës i lëndës narkotike. Është një fëmijë i rritur jetim.
Kërkojmë që të merret në konsideratë kjo dhe të jepet masë sigurie detyrim paraqitje ose masë më e butë”, ka kërkuar avokati i Meços.
Vetë i pandehuri Fatmir Meço ka pohuar gjatë seancës se është përdorues, por nuk e ka deklaruar këtë fakt kur është futur në Polici.
“Jam përdorues i kanabis sativës. Para 2.5 vjetësh kam nisur punën në polici. Kur hyra në polici nuk e deklarova qe isha përdorues droge. Kisha detyrë si polic ruajtjen e Rendit dhe qetësisë publike”.
I pyetur nga gjykatësi nëse është bërë problem për banorët, Meço është përgjigjur se ai nuk rrinte me banorët e lagjes dhe as me përdoruesit.