Tre liderët opozitarë në “darkë pune” me Escobarin e Hovenierin

E publikuar: 23/08/2022 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Liderët e tri partive kryesore opozitare, Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi e Ramush Haradinaj kanë arritur në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, për të zhvilluar një darkë pune me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar ndodhet për vizitë në Kosovë, me qëllim të shtyrjes përpara të dialogut dhe uljes së tensioneve në veri të Kosovës.

Takimi ka nisur rreth orës 19:00. Ekipi i Ekonomia Online është në vend të ngjarjes dhe do të mundohet të marrë prononcimet e protagonistëve rreth temave të takimit.

Më herët, Gabriel Escobar pati një takim rreth dy orësh me presidenten Vjosa Osmani në zyrën e saj.

Mediet kanë mundur të marrin pamje nga takimi, ndërsa nuk ka pasur deklarime për mediet. Por në një komunikatë shtypi të Zyrës së Presidentes, janë dhënë detaje nga temat e bisedimit.

“Në takim me Escobar, presidentja Osmani diskutoi për procesin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit, me theks të veçantë në veriun e Kosovës. Presidentja ka potencuar se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”, thuhet në komunikatën për medie.