Tragjedia e Gllogjanit, Prokuroria e Pejës do të shpalos sot të gjeturat e hetmit

E publikuar: 05/05/2023 08:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore e Pejës do të shpalosë sot të gjeturat e hetimit për tragjedinë e Gllogjanit, ku ishin vrarë tre persona, raporton Express.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, nga Prokuroria kanë bërë me dije se konferenca do të mbahet në orën 15:00, në objektin e Prokurorisë.

“Ftoheni të merrni pjesë në konferencën për media nga Prokuroria Themelore në Pejë, ku do shpalosen të gjetura e hetimit për njërën ndër vrasjet me tronditëse të ndodhura në kompetencën territoriale të kësaj prokurorie. Kjo konferencë do të mbahet me datën 05 maj 2023 në ora 15:00 në objektin e Prokurorisë Themelore të Pejës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Si kishte ndodhur rasti?

Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, pak para orës 19:00. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. U vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.

Dy ditë pas rastit tragjik, Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë kishin njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan.

Të nesërmen, Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë kishte thënë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.

“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, kishte thënë për REL, prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

Tek më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.

Një tjetër i dyshuar për këtë rast ishte arrestuar në shkurt të vitit të kaluar, e që sipas raportimeve në media, është familjar i tre personave që ishin arrestuar më parë.

Për motivin nuk është dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare, por në medie është përfolur disa herë si pistë hetimi vetëvrasja e një të reje para dusa vitesh, për të cilën dikush e fajësonte shoferin e autobusit.

Ajo që kishte kryer vetëvrasje ishte vajza/motra e të dyshuarve për sulmin ndaj autobusit.