Trafikimi me qenie njerëzore në Kosovë, çfarë kërkesa ka Amerika për Qeverinë Kurti

E publikuar: 20/07/2022 16:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi të enjten raportin mbi trafikimin e qenieve njerëzore për vitin 2022, që përfshinë vlerësimet për 188 vende të botës.

Ky raport i klasifikon vendet në tri nivele, ndërsa Kosova vazhdon të renditet në nivelin e dytë. Raporti thekson se Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por që po bën përpjekje të konsiderueshme për një gjë të tillë.
Qeveria e Kosovës demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë COVID-19 në kapacitetin e saj antitrafik, ndaj mbeti në nivelin e 2-të”, thuhet në raport.

Këto përpjekje, sipas raportit, përfshijnë ndjekjen penale dhe dënimin e më shumë trafikantëve dhe identifikimin e më shumë viktimave.

“Qeveria i shtoi përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Qeveria i identifikoi 22 viktima, krahasuar me 17 viktima në vitin 2020. Prej tyre, 19 ishin viktima të trafikimit seksual dhe tri ishin viktima të lypjes së detyruar; 16 ishin vajza, katër gra dhe dy djem; dhe një ishte viktimë nga Shqipëria. Reaguesit e parë përdorën tregues standardë për t’i kontrolluar popullatat e cenueshme; megjithatë, GRETA dhe vëzhgues të tjerë raportuan për mungesë të udhëzimeve dhe përpjekjeve proaktive për identifikimin e viktimave të lypjes së detyruar, posaçërisht fëmijëve.
PK-ja dhe policia kufitare vazhduan ta klasifikonin lypjen e detyruar të fëmijëve nga prindërit e tyre si neglizhencë ose abuzim prindëror, e jo si trafikim, duke theksuar se fëmijët e shoqëruar nga prindërit e tyre nuk e përmbushnin përkufizimin e trafikimit. Një mekanizëm shumëdisiplinar kombëtar i referimit (MKR) ofroi procedura standarde të operimit (PSO) për identifikimin dhe referimin e viktimave në shërbime. MKR-ja kërkonte që një hetues nga DHTQNJ-ja dhe një avokat i viktimave nga Zyra për Ndihmë dhe Avokim të Viktimave të mblidheshin dhe t’i vlerësonin viktimat si rrezik i ulët, i mesëm ose i lartë, dhe ta koordinonin kujdesin dhe vendosjen e viktimave; MKR-ja gjithashtu kërkoi që në vlerësim të merrte pjesë edhe një nëpunës social për viktimat fëmijë”, thuhet në raport.

Gjithashtu, raporti thekson se trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Kosovë, si dhe jashtë saj dhe se shumica e viktima të trafikimit seksual në Kosovë janë vajza.

Raporti thekson se Qeveria “organizoi një fushatë të fuqishme ndërgjegjësimi dhe organet koordinuese u mblodhën dhe prodhuan raporte tremujore”.

Megjithatë, raporti thotë se Qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe.

“Gjykatësit vazhduan të shqiptonin dënime të buta për trafikantët e dënuar dhe qeveria nuk e miratoi Strategjinë Kombëtare kundër Trafikimit dhe Planin e Veprimit 2020-2024. Organet për zbatimin e ligjit vazhduan ta klasifikojnë lypjen e detyruar të fëmijëve nga prindërit e tyre si neglizhencë ose abuzim prindëror, e jo si trafikim, dhe, për shkak të procedurave joadekuate të identifikimit për lypjen e detyruar, autoritetet ka të ngjarë t’i kenë dëbuar disa viktima të paidentifikuara të trafikimit”,transmeton Express.

Lidhur me ndjekjen penale, raporti thekson se policia, prokuroritë dhe gjykatat përdorin metoda të ndryshme për numërimin e rasteve të përndjekjeve dhe kjo ka çuar në statistika të paqëndrueshme.

“Policia hetoi 17 raste të reja me 43 të dyshuar, krahasuar me 62 raste të reja në vitin paraprak të raportimit. Policia hetoi gjithashtu shtatë të dyshuar të tjerë për “shfrytëzim të shërbimeve seksuale nga një viktimë e trafikimit”, krahasuar me nëntë të dyshuar në vitin paraprak. Autoritetet ndoqën penalisht 35 raste të reja, me 60 të pandehur, krahasuar me 20 raste të reja me 32 të pandehur në vitin paraprak. Gjykatat dënuan shtatë trafikantë, krahasuar me tre në vitin paraprak. Gjykatësit vazhduan të shqiptojnë dënime nën kufirin minimal prej pesë vjetësh heqje lirie. Derisa një gjykatës dënoi një trafikant me pesë vjet heqje lirie, katër trafikantë u dënuan me tri vjet, një u dënua me dy vjet me kusht dhe me gjobë prej 300 eurosh. Prandaj, raporti thekson s dënimet me kusht dhe ato të gjobave zhvlerësuan përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës, dobësuan parandalimin, krijuan shqetësime të mundshme për sigurinë e viktimave dhe nuk ishin të barasvlershme me seriozitetin e krimit”.

Po ashtu, gjykatat nuk e zvogëluan numrin e përgjithshëm të lëndëve që përfshijnë rastet e trafikimit dhe 70 raste mbeten të hapura nga vitet e mëparshme.

Raporti ka 13 rekomandime për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mes tyre: të hetojë fuqimisht, të ndjekë penalisht dhe të dënojë trafikantët, duke përfshirë zyrtarët bashkëfajtorë; t’u shqiptojë trafikantëve të gjetur fajtorë, burgim në përputhje me dënimet e parashikuara; të hartojë udhëzime me shkrim dhe fuqizojë përpjekjet për identifikimin dhe asistimin e fëmijëve të eksploatuar në kërkimlëmoshën e detyruar; të zvogëlojë më tej numrin e lëndëve të pazgjidhura nga gjyqësori, duke përfshirë rastet e trafikimit të qenieve njerëzore.

Në një komunikatë shtypi, Qeveria e Kosovës, në këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, zotohen se do të angazhohen që të gjitha këto rekomandime ky raport të trajtohen seriozisht nga Autoriteti Kombëtar Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe institucionet tjera relevante të Republikës së Kosovës, me qëllim “të luftimit sa më efikas të kësaj dukurie që po vazhdon të shqetësojë jo vetëm vendin tonë, por tërë globin”.