Themelohet Komisioni Ekzekutiv për anëtarësimin e Kosovës në BE

E publikuar: 24/08/2022 13:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria ka bërë hapin e parë procedural për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në mbledhjen e së mërkurës, me votë unanime, është miratuar themelimi i Komisionit Ekzekutiv që do të merret me këtë çështje.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, aplikimi për të hyrë në Union do të ndodhë sivjet, teksa Kosova tash e dy dekada ka bërë afrim të politikave dhe legjislacionit me atë të BE-së.

“Mbi 15 vjet, Kosova është duke përmbushur kriteter e Kopenhagës, kriteret politike, ekonomike dhe ato sektoriale të BE-së. Që nga viti 2016, Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Në Kosovë, integrimi evropian përkrahet nga 93% e popullsisë”, tha Kurti, njofton Klan Kosova.

Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE, mirëpo Kurti thotë se nuk mungon vullneti për këtë proces.

“Dallime vlerore nuk kemi. Edhe vullneti, edhe gatishmëria, edhe interesimi janë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe ky vit është gjithësesi i rëndësishëm për Kosovën në agjendën ndërkombëtare”, shtoi ai.

Kosova tashmë ka kërkuar anëtarësim në Këshill të Evropës dhe është në përgatitje të aplikimit në Partneritetin për Paqe të NATO-s.