Thaçi takon senatoren franceze Conway-Mouret, fton për përkrahje konkrete nga shtetet e BE-së

E publikuar: 31/10/2019 13:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi, ka pritur sot anëtaren e Senatit të Francës, Helen Conway-Mouret, me të cilën ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Ai u shpreh se Kosova ka zhvilluar një proces elektoral shembullor dhe se tani po pret formimin e qeverisë së re.

“Kosova ka një demokraci të avancuar”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve pret që shpejt të formohet qeveria që do të shtyjë përpara proceset e rëndësishme për Kosovën.

Thaçi theksoi se Kosova dhe i tërë Ballkani Perëndimor pret përkrahje më konkrete nga BE-ja.

“Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave dhe pret vendim meritor nga BE dhe shtetet anëtare të BE-së”, ka thënë ai.
Senatorja Conway-Mouret u shpreh se Franca përkrah perspektivën evropiane të Kosovës dhe të tërë Ballkanit Perëndimor.

Kreu i shtetit tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç se të vazhdojë të angazhohet për të realizuar aspiratën për t’u bërë anëtare e BE-së.