Thaçi në kërkim të mbështetjes për bisedimet me Serbinë, lëvdon tre liderët

E publikuar: 25/04/2018 15:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar mbështetjen e partive politike për negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Shefi i Shtetit i ka lëvduar tre liderët e partive politike, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn dhe Isa Mustafën për kontributin e tyre në çështje të ndryshme.

Thaçi thotë se konsensusi i gjerë politik është garancia ma e mirë për të përmbushur agjendën shtetërore, e cila si synim ka arritjen e objektivave euroatlantike të Kosovës.

Postimi i Thaçit në Facebook:

Konsensusi politik dhe uniteti qytetar janë veprime esenciale për të ardhmen e Kosovës. Në shërbim të kësaj, e mirëpres platformën për dialog ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të prezantuar nga Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjithashtu është inkurajuese platforma politike, e cila përfshin pika të rëndësishme të agjendës shtetërore e prezantuar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në kontekst të këtyre iniciativave përshëndes tryezën e sotme politike, të thirrur nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Është inkurajues takimi i sotëm i partive politike për të përafruar qëndrimet dhe për ta institucionalizuar agjendën shtetërore.

Konsensusi i gjerë politik është garancia ma e mirë për të përmbushur agjendën shtetërore, e cila si synim ka arritjen e objektivave euroatlantike të Kosovës. HTH