Thaçi nderon 21 policët e rënë në detyrë

E publikuar: 08/08/2020 15:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës” 21 policët e Kosovës të rënë në detyrë.

Përmes një statusi në Facebook, Thaçi ka thënë se policia jonë, është shembull për tërë rajonin dhe më gjerë.

“Ajo është forca, siguria dhe nderi i qytetarëve dhe i shtetit tonë. Çdo ditë është në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve, të sigurisë dhe në mbrojtje të atdheut”, ka shkruar Thaçi.

Ky është statusi i plotë:

Shumë pak muaj pas çlirimit të vendit, së bashku me udhëheqjen e ekspertizës perëndimore, nisëm nga zeroja ndërtimin e Shërbimit Policor të Kosovës. Krijuam policinë e parë në Kosovë, sipas standardeve dhe kritereve demokratike. Një institucion shumetnik, me përfaqësim meritor edhe gjinor!

Sot, policia jonë, është shembull për tërë rajonin dhe më gjerë. Ajo është forca, siguria dhe nderi i qytetarëve dhe i shtetit tonë. Çdo ditë është në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve, të sigurisë dhe në mbrojtje të atdheut.

Në krye të detyrës, 21 policë kanë dhënë më të shtrenjtën e tyre, jetën. Ata janë heronjtë e pasluftës dhe për kontributin e tyre kam vendosur t’i dekoroj me urdhrin “Hero i Kosovës”. HTH