Thaçi i kërkon Kurtit të mos tërhiqet nga gara për kryetar të LVV-së

E publikuar: 06/01/2018 12:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për analistin e ish-drejtorin e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, dorëheqjet e njëpasnjëshme nga pozitat e larta brendapartiake të funksionarëve të lartë të LVV-së duket qartë se janë të sinkronizuara dhe kanë për qëllim ta detyrojnë Albin Kurtin të tërhiqet nga gara për kryetar të LVV-së, në emër të ruajtjes së unitetit të LVV-së.

“Ata që besojnë dhe bëjnë thirrje që Albini duhet të tërhiqet nga gara për kryetar të LVV-së për hir të ruajtjes së unitetit të LVV-së, e kanë një huqje të madhe. Të tillët po kërkojnë të sakrifikohet një parim dhe e drejtë themeltare e demokracisë, siç është e drejta për t’u zgjedhur, vetëm e vetëm për hir të ruajtjes së unitetit të partisë”, ka thënë Thaçi.

Sipas Thaçit, të tillët duhet ta dinë se ta bësh kurban demokracinë për hir të interesit të partisë, kjo e shndërron partinë si qëllim në vetvete.

“E në momentin që LVV e shndërron veten si qëllim në vetvete, atëherë nuk i duhet më gjë Kosovës, parti të tilla kemi mjaft në Kosovë. Prandaj Albini nuk mund dhe nuk bën të tërhiqet nga gara për kryetar të LVV-së”./koha.net/