Thaçi dekoron antropologen Berit Backer me Medaljen Presidenciale Jubilare

E publikuar: 14/05/2018 13:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi, ka dekoruar antropologen norvegjeze Berit Backer, pas vdekjes, me Medaljen Presidenciale Jubilare.

Thaçi ka vlerësuar lartë punën e antropologes Berit Backer për shqiptarët e Kosovës.

“Ishte ndër zërat e parë që ka folur për Kosovën dhe për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Duhet ta kujtojmë se sa e vështirë ka qenë të flitet asokohe në atë kontekst për shqiptarët dhe për Kosovën”

Kreu i shtetit u shpreh i lumtur që në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës po e dekoron pas vdekjes antropologen Berit Backer për kontributin e saj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“I jemi mirënjohës familjes së saj, shtetit norvegjez dhe popullit norvegjez për përkrahjen dhe miqësinë”.

Antropologia norvegjeze, Berit Backer, në masë të madhe karrierën e vet ia kishte dedikuar shqiptarëve.

Në emër të familjes Backer, dekoratën e ka pranuar Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, bashkë me grupin inicues në përbërje të Nufri Lekajt, Ann Christine Ekk dhe Shkëlzen Kuklecit.