Tetë orët e liga në Bruksel, Kurti s’lëshon pe për targat, Kosova në bankën e të akuzuarit

E publikuar: 21/11/2022 18:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në rolin e zakonshëm të lajmëtarit, doli të tregojë se sot nuk është arritur asnjë marrëveshje. Më pas, e gjithë skena ishte për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Albin Kurtin, të cilët, si kurrë më parë, akuzuan direkt njëri-tjetrin.

Për më se 10 vjet negociata vështirë është të gjendet një rast tjetër ku Kosova shpallet pothuajse fajtore për mosarritjen e një marrëveshjeje.

Të hënën, ndodhi pikërisht kjo. Takimi i mëngjesit mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryediplomatit Evropian, Josep Borrell, që u përcoll me shaka mes vete, vështirë se jepte sinjale për një fund të këtijllojtë.

Por, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së që tha se përgjatë negociatve 8 orëshe, bëri një propozim për të dalë nga “situata e rrezikshme”, nuk hezitoi të dalë me përfundime direkte: propozimin e pranoi Vuçiq, por e refuzoi Kurti.

“Për hir të transparencës, më duhet të them se ne e dhamë një propozim që do të mund të evitonte këtë situatë të rrezikshme, që Presidenti Vuçiq e pranoi sot, por Kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell.

Kryediplomati i BE-së, i zemëruar nga dështimi i arritjes së një marrëveshjeje, tha se do të njoftojë shtetet anëtare për “sjelljen e palëve” dhe mungesën e respektit për obligimet ndërkombëtare, sidomos nga Kosova.

“Ne do t’i informojmë shtetet anëtare, do të t’i informojmë kolegët e mi, ministrat për Punë të Jashtme dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe për mungesën e respektit ndaj obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe më duhet ta them këtë, veçanërisht për Kosovën”, tha Borrell.

Menjëherë pas tij, Kryeministri Kurti akuzoi Borrellin se ka hequr dorë nga ideja e BE-së për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sot po them me keqardhje, ai [Borrell] hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, u tha Kurti mediave në Bruksel.

Tani Kurti nuk ka mosmarrëveshje vetëm me amerikanët të cilët kanë kërkuar me ngulm që Kosova ta shtyjë afatin. BE, si asnjëherë më parë emërtoi Kosovën si fajtore dhe mbetet të shihen pasojat e këtij përfudnimi që nxorri Kryediplomati i saj, spanjolli Borell.

Për refuzimin e propozimit të BE-së për targat, Kurti tha: “Natyrisht për ne nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë me çfarë jemi ftuar këtu, dakordimin që me urgjentë të angazhohemi për marrëveshjen finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Afati ka qenë marsi i vitit 2023”.

Ky i sotmi ishte takimi i dytë i muajve të fundit mes Vuciqit dhe Kurtit, që shkak kishte vendimin e Kosovës për të mos i lejuar në qarkullim automjetet me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Gjatë ditës, nga dhoma e takimit ka dalë vetëm një fotografi e presidentit serb, të cilën ai e ka publikuar në Instagram. Në fotografi, Vuçiq shihet pranë një kutie shahu.

Para takimeve, Kurti dukej i relaksuar dhe shkëmbeu disa shaka me Borrellin që i tregonte Kryeministrin një storje me dy orët e tij.

Disponimi i Vuçiqit, me aq sa shihej në pamjet e shkurta, ishte tjetër. Vuçiq kreu takimin formal me fotografi, me përfaqësuesit e BE-së, pa shumë fjalë dhe me fytyrë, që dukej si e ngrysur.

Më pas u publikua një video, para nisjes së takimit të përbashkët.

Dy liderët ballkanikë po i iknin kontaktit me sy dhe nuk komunikuan mes vete, në ata minuta që mediat po merrnin pamje nga takimi.

Kurti kishte përpara disa dosje të klasifikuara, ndërsa Vuçiq duket se nuk ishte ngarkuar me dokumente të shumta.

Herën e fundit kur Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel ishte më 18 gusht, pas tensioneve të 31 korrikut dhe para përfundimit të afatit njëmujor për zbatimin e vendimit për targa dhe për reciprocitetin në dokumentet për “hyrje-dalje”.

Edhe ai takim kishte zgjatur disa orë, pa ndonjë rezultat të deklaruar atë ditë.

Borrell tha sot se situata tani është edhe më e keqe se takimi i fundit i krizës në gusht.

Takimi i sotëm është thirrur në ditën e fundit kur do të niste faza e dytë e zbatimit të vendimit për targa. Sot, pra, më 21 nëntor, ka pasur të nisë dhënia e gjobave për qytetarët e Kosovës, që vozisin automjete me targa të lëshuara ilegalisht nga Serbia.

Policia e Kosovës ka njoftuar të dielën se faza për dhënien e gjobave për poseduesit e targave ilegale do të nisë nga nesër, e martë, 22 nëntor. /Express/