Tërnava flet për çmimet e larta të shkuarjes në Haxh

E publikuar: 31/07/2019 19:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

216 besimtarë myslimanë të Prishtinës, nga gjithsej 1080 sa do të udhëtojnë këtë vit janë nisur sot nga Kosova për ta kryer Haxhin, si kushtin e pestë të besimit islam.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës para disa dite njoftoi se në mesin e tyre që do të udhëtojnë në Haxh këtë vit 370 prej tyre janë gra.

Bashkë me ta është edhe kryetari i Bashkësisë Islame, myftiu Naim Tërnava, për të cilin nuk është hera e parë që po udhëton për në Mekë.

Ky i fundit pak para nisjes është shprehur se sot po realizohet ëndrra e shumë personave.

“Mund të them me përgjegjësi që çdo gjë sa i përket përgatitjes deri tash ka përfunduar, çdo gjë është në nivelin e duhur dhe besoj bashkarisht këtë vit të jem edhe unë me haxhinjtë e Kosovës t’i kalojmë këto 23 ditë në Mekë dhe Medinë ku do të kryejmë edhe këtë iradet”, tha ai, raporto rtv21.

Sipas Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, çmimi i haxhit për besimtarët kosovarë këtë vit është 4.150 euro.
Ndërsa, sipas Tërnavës ky çmim është i arsyeshëm në raport me përgjegjësitë, të cilat i ka Bashkësia Islame e Kosovës dhe pagesat të cilat duhet bërë për Haxh.

“Haxhi bazuar në udhëtimin apo ushqimin, është një çmim i mirë dhe nuk është i lartë. Sepse është një çmim i arsyeshëm në raport me përgjegjësitë të cilat i ka Bashkësia Islame e Kosovës dhe pagesat të cilat duhet bërë për haxhi”, ka thënë ai.

Kujtojmë se numri i besimtarëve që shkojnë në vendet e shenjta është rritur dhjetëfish dhe mosha mesatare është 40 vjet.

Ky është grupi i parë i haxhinjve, që janë nisur nga Prishtina për në Haxh, për të vazhduar pastaj grupet tjera me datën 1, 2 dhe 3 gusht.