Të premten ZRRE-ja shqyrton licencën e “Elektroseverit”

E publikuar: 22/06/2022 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra e Rregullatorit të Energjisë të premten (24 qershor) do të shqyrtojë aplikacionin për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike për “Drustvo Elektrosever” në katër komunat veriore të Kosovës, sipas marrëveshjes që është arritur mes Kosovës e Serbisë të martën.Një ditë më parë, dy shtetet u zotuan për një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 2013, që s’ishte zbatuar deri më tash. Aty janë paraqitur afatet kohore për ZRRE-në që t’ia lëshojë licencën Elektrosverit.

Të premten, do të mbahet mbledhja e nëntë e Bordit të ZRRE-së për sivjet. Pika e shtatë e rendit të ditës ka të bëjë me këtë aplikim.Në mesin e pikave të marrëveshjes thuhet se ZRRE-ja do të lëshojë një licencë furnizimi dhe do të sigurojë respektimin e kushteve të përcaktuara me licencën e furnizimit, në miratim me kornizën ligjore dhe rregullatorë të Kosovës.

Kompania nga veriu i Kosovës “Drustvo Elektrosever” ka aplikuar për licencë të operimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, në vitin 2020. Aplikimi është bërë pasi Kosova është pavarësuar nga Serbia si Zonë Rregulluese e Transmisionit.

Kjo nuk ia mundëson më Serbisë që t’i shfrytëzojë asetet interkonektive të Kosovës. Kompania “Drustovo Elektrosever” është regjistruar në Agjencinë Kosovare të Bizneseve në nëntor të 2018-s. Sipas Marrëveshjes për energji, të dyja palët ishin dakorduar që të themelohet një kompani e tillë sipas kornizës ligjore dhe rregullatore kosovare.

Në marrëveshje thuhet se kjo kompani e re do të furnizojë me energji elektrike dhe mund të ofrojë shërbime të shpërndarjes (të tilla si faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) për konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe dhe do të jetë në gjendje të blejë dhe të shesë energji në tregun e hapur. Por, Serbia deri më tani i ka rezistuar planit të zbatimit të Marrëveshjes për energji edhe për shkak të pretendimeve në trafostacionin e Vallaçit e Gazivodën, si dhe kërkesës për një distributor të vetin në veri të Kosovës.

Zyrtarë të Qeverisë serbe kanë thënë në vazhdimësi se po presin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për t’i futur ato nën kontroll. Por, sipas Marrëveshjes për energjinë, është KOSTT-i ai që vendos nën kontroll nënstacionin e Vallaçit në pjesën veriore, praktikisht dhe në tërë sistemin e transmisionit.

Ndërkaq, ndërhyrja ilegale e operatorëve serbë në pjesën veriore, sipas Marrëveshjes, duhet të pushojë duke përfshirë kontrollin dispeçerik të hidrocentralit Ujmani dhe importin në linjën 110-kilovoltëshe (kV) nga Novi-Pazari.KOSTT-i do të mund të arkëtonte të hyra nga energjia e transituar për vende të treta, meqë me firmosjen e marrëveshjes ky institucion bëhet pjesë e mekanizmit për kooperim ndërmjet operatorëve në nivel evropian.

Duke iu referuar të dhënave energjetike nga e kaluara, këto të hyra mund të arrijnë 1 milion e 500 mijë deri në 2 milionë.Arsyeja e bllokimit të Marrëveshjes së Brukselit ka qenë hezitimi i kompanisë serbe për regjistrim, si dhe mospërmbushja e kritereve ligjore, pasi që kjo kompani kishte përdorur termin “Kosova Metohije” në statusin e kompanisë.

Furnizimi me energji në pjesën veriore është problem politik i pazgjidhur që nga paslufta. Në pamundësi që furnizuesit të operojnë në atë pjesë të Kosovës, ZRRE-ja me një vendim të 2013-s e ka llogaritur furnizimin e asaj pjese si humbje dhe ka thënë se humbje vjetore kanë qenë afro 8 milionë euro, të cilat u janë faturuar qytetarëve.Por, pas padisë së Avokatit të Popullit kundër këtij vendimi, Gjykata Themelore ka pezulluar vendimin e ZRRE-së. Ndërkohë, lënda është në procedurë gjyqësore.

Gazeta ka kërkuar nga Gjykata që të dijë se në çfarë faze është kjo lëndë, por nuk ka marrë përgjigje gjatë së hënës.Ndërkohë, nga 2 dhjetori 2017, KOSTT-i nuk ka bërë blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve për furnizimin e veriut të Kosovës.

Për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike është tërhequr në mënyrë të paautorizuar nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Sipas të dhënave të KOSTT-it, nga sistemi interkonektiv evropian janë tërhequr energji në vlerë monetare rreth 37 milionë euro. Ky borxh është bërë për periudhën 2 dhjetor 2017 deri më 2020.