Të moshuarit duan të vaksinohen, por nuk dinë se ku të regjistrohen

E publikuar: 30/03/2021 21:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të moshuarit ishin të parët që ia mësynë sot Qendrës Kryesore të Vaksinimit.

Madje, tek Salla “1 Tetori” ata shkuan edhe para atyre që ishin të thirrur për ta marrë vaksinën kundër COVID-19.

Ata shfaqën gatishmëri për t’u vaksinuar, ani se kjo dëshirë nuk iu plotësua.

Ani se fillimisht u bë me dije nga Ministria e Shëndetësisë që të moshuarit sipas radhës do të njoftohen nga Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komunat që i takojnë e është dikush që druan se institucionet e shëndetësisë nuk kanë informacione për të dhe si e tillë mund ta humbasë mundësinë për vaksinim.

Të shqetësuar shprehën edhe qytetarë të tjerë të cilët thonë se nuk kanë familjarë të moshës se re për të bërë aplikimin online përmes platformës, në rast sigurie.

Pos këtyre, është edhe një figurë e njohur për opinion, por që nuk i pëlqejnë këto procedura, edhe pse me profesion është mjek.

Shefja e Imunizimit në IKSHPK, Edita Haxhiu, siguron të gjithë qytetarët e vendit se me kohë do të njoftohen për t’u vaksinuar.