Të dielën betohet presidenti i ri i Shqipërisë

E publikuar: 21/07/2022 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Të dielën mbahet ceremonia e kalimit të detyrës nga Ilir Meta tek Bajram Begaj e cila pritet të nisë në orën 18:00 në parlamentin e Shqipërisë.

Seancën do ta drejtojë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Pas leximit të formulës së betimit, Begaj do të betohet para deputetëve dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Ceremonia e dytë do të zhvillohet në ambientet e presidencës. Ajo është parashikuar të zhvillohet në orën 19:30. Në këtë ceremoni bëhet dorëzimi i detyrës nga presidenti aktual, Ilir Meta, tek presidenti i ri, Bajram Begaj, i cili mësohet se do të shoqërohet nga familja e tij.

Në mënyrë simbolike kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, do i dorëzojë presidentit Begaj, Kushtetutën e vendit. Pjesë e ceremonialit do të jetë dhe shoqërimi i emërimit të kreut të shtetit me 21 të shtëna topi artilerie me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, flamuri kombëtar qëndron i ngritur.

Pasi presidenti i zgjedhur i Shqipërisë, Bajram Begaj të bëjë përshëndetjen e rastit do të bëhet parakalimi tradicional i truprojës së nderit. Pas kësaj, të pranishmit ftohen në Pallatin e Brigadave për të marrë pjesë në pritjen zyrtare, njofton tvklan, transmeton Klankosova.tv.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!