Taulant Balla: Të bëhet me detyrim vaksinimi për deputetët

E publikuar: 23/09/2021 12:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar sot që vaksinimi për deputetët të bëhet me detyrim.

Balla u shpreh se dhe në vende të tjera në Europë, për deputetët kërkohet pasaporta e vaksinimit, ndaj dhe në Shqipëri duhet të merret një masë e tillë.

“Nëse në Bundestag nuk mund të hysh nëse nuk ke ‘Green Pass’, le ta bëjmë dhe këtu. Kjo ka qenë një dakordësi edhe nga nën kryetari i Kuvendit, Alibeaj dhe nga kreu i grupit të PD, Rushaj, por dhe nga Fatmir Mediu si kreu i një grupi tjetër parlamentar”, tha Balla.

Më tej ai u shpreh së Kuvendi duhet të jetë një shembull i respektimit të rekomandimeve që jep Komiteti i Ekspertëve.

“Shqipëria është në kushtet e një pandemie, Kuvendi duhet të jetë shembull i respektimit të rekomandimeve që jep Komiteti i Ekspertëve. Kjo nuk është një çështje e seancës, por është një çështje që kërkon diskutim”, shtoi ai.

Një kërkesë e tillë u bë dhe nga deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se nuk mund të vijohet me një situatë të tillë./tvklan