Taksa në Rrugën e Kombit, Kosova i kërkon sqarime Shqipërisë

E publikuar: 05/04/2018 10:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendosja e taksës prej 5 eurove në Rrugën e Kombit shfaqi reagime nga më të ndryshmet si brenda Shqipërisë ashtu edhe në Kosovë.

Çmimi i pagesës së hyrje-daljes në këtë rrugë është vlerësuar i lartë edhe nga zyrtarët e shtetit të Kosovës.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se tashmë kanë shprehur brengën lidhur me procesin, por edhe sa i përket çmimit të pagesës.

Ky i fundit ka thënë se kanë dërguar letër zyrtare tek ministri i Shqipërisë, Damian Gjiknuri duke kërkuar një takim me të në mënyrë që të diskutohet hollësisht lidhur me këtë çështje si dhe për mundësitë në raport me të.

“Do të kërkojmë takim për të biseduar edhe për tema të tjera që janë në interes për të dyja vendet. Se a do të mbetet vendim i prerë, kjo do të shihet nga Qeveria e Shqipërisë se çfarë do të vendos më tutje dhe se si do të veprojë. Nuk dëshirojmë të dalim se po tentojmë të interferojmë në vendimet e institucioneve shtetërore të Shqipërisë”, ka thënë Lekaj për Indeksonline.

Sipas Ministrit të Infrastrukturës, do të ishte e udhës që të shtereshin të gjitha mundësitë për të rishikuar çmimet e pagesës.

“E udhës do të ishte që të shtereshin të gjitha mundësitë për të rishikuar çmimin e pagesës. Gjithnjë ka mundësi për zgjidhje më të lehta, por e ritheksoj, kjo i mbetet Qeverisë së Shqipërisë, për të vendosur”, ka përfunduar Lekaj.

Në Rrugën e Kombit ka nisur tashmë rindërtimi i kabinave të dëmtuara nga protestuesit, por kjo sipas autoriteteve pritet që marr kohë deri në 60 ditë.

“Nuk po paguhet se u shkatërrua ajo pjesë. Do ringrihet do kohën e saj. Mbase do të dojë një periudhë 60 ditore minimalisht”, ka thënë ministri shqiptar i Transportit, Damian Gjiknuri./Indeksonline/