Takimi me Osmanin, Lajçak del me njoftim

E publikuar: 29/06/2022 17:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në ditën e tretë të vizitës, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, takoi të paren e shtetit, Vjosa Osmani.

Për këtë takim, Lajçak doli me një njoftim në Twitter, duke thënë se pati një diskutim të detajuar me Osmanin.
“Patëm një diskutim shumë të mirë, konstruktiv dhe të detajuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e tretë të vizitës në Kosovë mbi gjendjen e dialogut dhe hapat e ardhshëm”.

Më herët, për takimin u deklarua edhe Osmani.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut në Bruksel, perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja foli për angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë, duke përçuar synimin e qartë të institucioneve tona që procesi të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Presidentja Osmani theksoi se marrëveshja mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë është hap pozitiv në këtë aspekt, duke përmendur se zbatimi është shumë i rëndësishëm”, thuhet në komunikatë.

Ata kanë folur edhe për urgjencën për marrëveshjen e personave të zhdukur si dhe procesin e liberalizimit të vizave.

“Presidentja Osmani ritheksoi urgjencën për progres në marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, e cila mbetet plagë e thellë në shoqërinë tonë. Tutje, Presidentja Osmani foli mbi nevojën për të pasur një mekanizëm të qartë zbatimi duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Presidentja Osmani dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Lajçak folën edhe për procesin e stërvonuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe nevojën për të ecur përpara urgjentisht, duke qenë se ky proces është i një rëndësie të madhe për kredibilitetin e BE-së në Kosovë”, thuhet tutje.