Tahiri tregon rëndësinë e projektligjeve që mbrojnë të drejtat pronësore

E publikuar: 30/11/2017 17:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se Kuvendi i Kosovës sot miratoi në parim, gjatë shqyrtimit të parë, katër projektligje qenësore për të mbrojtur të drejtat pronësore të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim.

Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë, Projektligji për Nryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Procedurën Jo-Kontestimore, Projektligji për Ndërmjetësim dhe Projektligji për Noterinë.

“Ngritja e numrit të grave dhe vajzave pronare nuk ka të bëjë vetëm me drejtësi—kjo ka të bëjë edhe me zhvillim ekonomik. Fakti që shumë gra e vajza nuk zotërojnë pronë do të thotë se gjysma e popullsisë nuk është në gjendje që të marrë kredi për të nisur një biznes.

Mos përfshirja e gjysmës së popullsisë ngadalëson krijimin e vendeve të punës në tërësi dhe ngritjen e qëndrueshme ekonomike të Kosovës. Kjo është edhe arsye shtesë se pse do ta përqendroj energjinë time tek fuqizimi i grave dhe vajzave”, thotë Tahiri.

Ministria e Drejtësisë, sipas tij, do të intensifikojë edhe komunikimin me qytetarë për t’i inkurajuar ata që t’i ndjekin procedurat e trashëgimisë me kohë dhe të ndajnë pronën e trashëguar në mënyrë të barabartë, pa dallim.

“E drejta e barabartë në pronë fuqizon familjet tona” ka shtuar ai.