Tahiri thotë se marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese

E publikuar: 09/04/2023 15:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri tha se marrëveshja e arritur së fundmi mes dy vendeve “duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, raporton Gazeta Express.

Tahiri e tha këtë me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës, duke shkruar në Facebook se ajo në dakordimin e 18 marsit nuk u përmend as në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Sot Dita e Kushtetutes te shtetit tone. U shkel nga qeveria, nuk permendet ne marreveshje me serbine, madje as per asociacion dhe vetmenaxhim per pakicen serbe. Marreveshja duhet te shkoj ne Gjykaten Kushtetuese!”, shkroi Tahiri.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër arritën një marrëveshje që diku nga ndërkombëtarët u cilësua edhe “historike” dhe që për bazë e kishte propozimin e Francës dhe Gjermanisë.

Marrëveshja përmban edhe detyrimin që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.