Tahiri: Për 50 ditë qeverisje Kurti tregoi sa i afërt është me Serbinë e sa larg me Shqipërinë

E publikuar: 01/05/2020 13:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka numëruar argumente që sipas tij kryeministri në detyrë Albin Kurti për 50 ditë qeverisje ka konfirmuar se sa afër ka qenë me Serbinë e sa larg me Shqipërinë.

Zyrtari i lartë i PDK-së ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Kurti ka përulur Republikën e Kosovës karshi Serbisë në disa raste, përcjellë Klan Kosova.

”Për 50 ditë në qeverisje, Albin Kurti u përpoq ta përulte Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj karshi Serbisë, në mënyrë të turpshme, antikombëtare e antishtetërore.

E nisi me shkëmbimet gazmore me Bërnabiqin, duke harruar kauzën e tij. U hamend ta shndërrojë në vepër daljen në det të Serbisë përmes Kosovës, duke ia plotësuar kërkesën historike të saj.
Në kohë pandemie vazhdoi me dorëzimin e komunave veriore në duart e juridiksionit dhe pushtetit serb, duke i harruar zotimet për sovranitet në atë pjesë.
Përmes pranimit të 1000 testeve nga Serbia, rehabilitoi Vuçiqin si njeri human, personin që ishte pjesë e makinerisë së Millosheviqit, përgjegjësit për 13 mijë viktima civile në Kosovë.
U kujdes t’ia bëjë argatin Serbisë përmes këshilltarit të tij, që njeriun e përgatitur në Moskë e furnizuar në Beograd, Dick Marty, e quante si mik të Kosovës, e pjesëtarët e UÇK-së si kriminelë lufte.
Dhe kur nuk mund të pritej më shumë përulje nga një shqipfolës, ai e referoi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kushtetutën e Serbisë. Pra, kushtetutën në të cilën Kosova është pjesë e Serbisë, si territor, si shoqëri, si identitet e si histori.
50 ditë qeverisje treguan se sa afër është Albin Kurti me Serbinë dhe sa larg me Shqipërinë.