
Drejtori i Informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla, ka përmendur një përplasje që pati gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas tij, në një momenti bëri një krahasim të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, me kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Syla tha se Vuçiqi i krahasoi veprimet e Kurtit në veri me veprimet e Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të 90’-ta.
“Pra, e pranoi Vuciqi se çfarë kishte ndodhur në vitet 90’ dhe na u adresua neve një grupi të gazetarëve kosovarë që ishim aty dhe na tha se “ju e dini se çka ka ndodhur” dhe deshi sikur të na jap një këshille që ne t’i themi Kurtit se po gabon me atë që e ka bërë në veri dhe se po gabon se në një mënyrë po sillet sikur Millosheviqi”.
“Për një moment i thashë se mos është i rëndë ky krahasim që po e bën, dhe provova t’ia them një përvojë time personale se në moshë të re dhe shumë kosovarë të tjerë nuk kemi pasur të drejtë të shkojmë as në shkolla dhe mandej sikur u zmbraps pak nga ajo që e tha”, tha Syla në Rubikon në Klan Kosova.
Ai foli edhe për rezultatin e ditës së sotme në tavolinën e dialogut, për të cilin tha se ishte më pak sesa ishte pritur në Bruksel
“Palëve sot iu është kërkuar që të vijnë me propozime dhe ide se si ato mendojnë që ta implementojnë planin e marrëveshjes bazë dhe aneksit të Ohrit”.
“Kurti tha se nga ana e tij ishte prezantuar një plan, i cili është prezantuar, mendoj, bujshëm, i cili është një plan interesant anise e ka një kompleksitet dhe krijon një konfuzion sepse përmenden shpesh nene e pika të caktuara të cilat do të duhej sipas planit të Kurtit të diskutoheshin fillimisht, ndërkohë që në anën tjetër ka një kushtëzim, është një letër e pak rreshta të Vuciqit i cili sipas Kurtit as nuk e ka prezantuar fare në tavolinë”, tha Syla, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Syla tha se Vuçiqi krijoi një konfuzion tek gazetarët, pasi sipas tij, u krijua përshtypja se BE-ja ka nxjerrë në tavolinë një propozim të cilin e ka refuzuar Kurti, por doli se BE-ja s’ka pasur asnjë propozim, përveç atij të Kurtit dhe letrës së Vuçiqit për të cilën tha se ishte e vjetër 6 muaj.
“Këtu ka ardhur refuzimi i Kurtit, i cili ka thënë se nuk mund të diskutojë për dicka që nuk ka njohur dhe as që e ka ditur se është protokolluar e zyrtarizuar në zyrën e Lajcakut, prandaj edhe hidhërimi i tij me Lajcakun ka qenë ekstrem, e ka përmendur në disa raste se ka marrë anë dhe i ka shkelur parimet e punës së tij”, tha ai.