Syla nga FSSHK-ja thotë se ka diskriminim në shtesat e punëtorëve shëndetësorë

E publikuar: 22/01/2021 19:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Federatave të Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, ka folur për problemet që i ka ky sektor.
Ai në Klan Kosova, ka deklaruar se një pjesë e stafit shëndetësor ka qenë e diskriminuar tek shtesat e pagave të cilat i kanë marrë për punën dhe kontributin e dhënë gjatë kohës së pandemisë COVID-19.“Ne e kemi nënshkruar Kontratën e katërt Kolektive me Qeverinë në vitin 2018. Ne jemi të kënaqur me këtë kontratë që e kemi nënshkruar. Ajo ripërsëritet çdo tri vjet në bazë të kërkesave të sektorit të shëndetësisë”.“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë i ka arritur sot të gjitha objektivat që i ka para vetes, nuk jemi të kënaqur me situatën e tanishme. Në këtë kohë të pandemisë nuk ka para që e paguan mjekun, infermierin dhe stafin mbështetës”.“Ne jemi të diskriminuar tek shtesat. Sot nuk janë paguar specializantët që kanë punuar pranë nesh, derisa kemi diskriminim edhe tek punëtoret e pastrimit, rojet dhe vozitësit. Ne nuk jemi të kënaqur, sepse është dashur që pandemia t’iu tregojë politikanëve tanë se sa e nevojshme është shëndetësia”.Syla ka thënë se ata javën e ardhshme do t’i paraqesin të gjitha kërkesat e tyre tek partitë politike, por e ka përjashtuar mundësinë e grevave pasi, sipas tij, federata që ai e drejton mendon për shëndetin e qytetarëve.“Shkatërrimi i sistemit të pagave është mosmiratimi dhe mosimplementimi i Ligjit të Pagave. Ne të hënën do t’iu adresohemi të gjithë partive me kërkesat dhe problemet që tani i kemi”.Syla duke iu referuar reagimit të djeshëm të Shoqatës Sindikale të Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë (SHSIMP) për pakënaqësitë lidhur me shtesat ka thënë se ata janë njerëz që janë në politikë dhe se janë duke tentuar të shkaktojnë përçarje në Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës.“Ata janë një shoqatë sindikale. Janë disa njerëz të cilët janë në politikë dhe thirren në emër të infermierëve dhe kjo është e pamoralshme dhe nuk është e ndershme. Ata janë duke tentuar të shkaktojnë përçarje në federatën tonë”, ka thënë Syla.