Sveçla viziton pikë kalimin kufitar në Merdare, tregon për gjendjen pas vendimit për targa

E publikuar: 22/09/2021 20:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, vizituan pikë kalimin kufitar Merdare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ata takuan zyrtarët policorë të cilët ishin në detyrë dhe panë nga afër zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve, vendim ky që obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës“Përveç tjerash kjo vizitë kishte të bëje edhe me njoftimin nga afër për gjendjen në pikë kalimin kufitar Merdare, përfshirë qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Me qëllim të shmangies së pritjeve të mundshme, në këtë pikë kalim kufitar, janë ndërmarrë masat e nevojshme për të reduktuar në maksimum pritjet, duke shtuar kapacitetet e burimeve njerëzore dhe duke vënë në funksion (6) korsi për qarkullim, prej tyre (4) korsi për automjete dhe (2) korsi për mjetet transportuese, përfshirë atë të transportit të udhëtarëve”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Ndërsa thuhet se nga ana kosovare nuk ka pritje, përveç realizimit të procedurave të kontrollit kufitar të cilat zgjasin afërsisht nga (3 – 5) minuta.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave”.