Sveçla reagon për arrestimin e Fazliut: Ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen

E publikuar: 06/06/2021 17:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të anëtarit të kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu duke thënë se sundimi i ligjit në shtetin e së drejtës nënkupton edhe ushtrimin e detyrës nga zyrtarët policorë pa pengesa.

Tutje, Sveçla thotë se ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga siç i ka quajtur ai “të fortët”

“Përgjigje e shpejtë dhe konform ligjit për të gjithë personat që tentojnë “t’i kryejnë punët privatisht me policët tanë”. Stop sjelljeve banditeske. Askush mbi ligjin”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ndryshe, sot është liruar ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Faik Fazliu, i cili u arrestua mbrëmë në një kafeteri në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për lirimin e tij e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kreut të kësaj organizate, Faton Klinaku.

“Ju informoj se sapo u lirua ish kreu i OVL UÇK-së, Faik Fazliu. Gjykata tani i ka edhe faktet me video, të ushtrimit të dhunës ndaj tij gjatë arrestimit”, shkroi ai në Facebook.

Gazeta Sinjali sot ka publikuar pamjet nga arrestimi i Fazliut, ku shihet se si një zyrtar policor, pas një fjalosje me të, e shtynë, duke e rrëzuar përtokë dhe pastaj ia vendos prangat.