Sveçla: Ky person është njëri nga krerët e grupeve kriminale në Veri

E publikuar: 18/07/2022 13:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë të hënën gjatë një interviste për REL se Millan Radoiçiq është një nga krerët e grupeve kriminale në Veriun e Kosovës.Sipas tij atje janë disa grupe kriminale të kontrabandës të cilët po luftohen nga Policia e Kosovës për shtrirjen e rendit dhe ligjit në Veriun e vendit.

“Millan Radoiçiq është njëri ndër krerët e kësaj strukture. Tashmë ai është i arratisur, sipas informatave që kemi ndodhet në territorin e Serbisë, por definitivisht që është i kërkuar nga drejtësia në Kosovë, dhe në momentin e parë të mundshëm, ai do të vihet para drejtësisë”, ka thënë Sveçla.

Të dielën pesë policisë janë sulmuar pasi donin ta pengonin një mjet transportues që për synim kishte kontrabandën.“Është e qartë që kriminelë në veri janë të pakënaqur me gjendjen aktuale atje, duke qenë se niveli i sundimit të ligjit, është rritur jashtëzakonisht shumë në atë zonë, që për më shumë se 20 vjet është njohur si problematike për ligjin.

Tendenca e tyre për të vazhduar me të njëjtat metoda, me të njëjtat qasje në raport me ligjin, patjetër që janë duke u luftuar në vazhdimësi nga strukturat e sigurisë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri.Ai ka folur edhe për hetimin e këtij rasti, duke thënë se po synohet shtrirja e plotë e sundimit të ligjit.

“Sulmet është e qartë që janë të koordinuara me qëllim që të pamundësojnë shtrirjen e ligjshmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai. “Ne jemi duke hetuar në vazhdimësi, me të gjitha kapacitetet tona, për sulmet e mëhershme.

Drejtoria kundër terrorizmit është duke udhëhequr hetimet dhe unë jam i bindur që jemi në rrugë të duhur që të gjithë strukturën e tyre jo vetëm ta identifikojmë, por edhe të dëshmojmë aktivitetet e tyre kriminale, me ç’ rast pastaj do të ndërmerreshin hapat e tjerë të radhës”.