Svarqa konfirmon se LDK do ta zgjedh kryetarin si në kohën kur ishte eliminuar Vjosa Osmani

E publikuar: 31/07/2019 17:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Svarqa në një bisedë për Gazetën Express ka konfirmuar se ende nuk janë shpërndarë ftesat ku saktësohet se në cilën orë të shtunën do të fillojë Kuvendi i Përgjithshëm Zgjedhor i partisë. Ai shton se në takimin që patën dje me Isa Mustafën folën për shpërbërjen e Kuvendit që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, derisa zbulon se të shtunën për karrigen e të parit në LDK mund të garojnë katër persona.

Për disa orë, dje Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbajti të mbledhur në selinë qendrore në Prishtinë, krerët e degëve të kësaj partie.

Muharrem Sfarqa, që së fundmi është rizgjedhur kryetar i degës së Ferizajt, në një bisedë për Gazetën Express ka bërë të ditur se me Mustafën kanë biseduar për disa çështje teknike që iu kishin mbetur para kuvendit të së shtunës.

“Kemi biseduar vetëm për trupat ndihmëse të Kuvendit ato që natyrisht lehtësojnë punën e Kuvendit për shembull komisionet paraprake, të natyrës teknike. Ora konfirmohet nesër, me rëndësi që nesër shpërndahet materiali, mbahet në hotel Emerald”, ka thënë Svarqa, duke bërë të ditur se vetëm nesër kur edhe lëshohen ftesat do të mësohet zyrtarisht ora. I njëjti ka shtuar se është vetëm çështje publikimi i orës, e që nuk po mbahet fshehur për ndonjë arsye të caktuar.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, ka shpjeguar se delegatët janë të ndarë në bazë të fuqisë së votës nëpër çdo komunë, teksa ka shpjeguar se cili kryetar dege shkon në kuvend zgjedhorë me më së shumti vota.

“Secila komunë i ka delegatët në bazë të fuqisë së votës, ajo kandidatura është kategori statuare, statuti është i aprovuar në kuvend, s’ka asnjë pengesë. Nuk e di saktë, mundem me të tregu që Ferizaj i ka 24. Më së shumti ka Peja, pastaj është Podujeva, afërsisht këto janë të njëjta, pastaj vjen Gjilani, Ferizaji e kështu me radhë”, thotë tutje.

Sa i përket lajmeve se Mustafa ka mbajtur takime të ndara dje në zyrat e LDK-së për të parë se kë mbështesin në zgjedhjet e së shtunës degët e caktuara, Svarqa e mohon një gjë të tillë, derisa zbulon edhe për çfarë kanë diskutuar.

“Me asnjë njeri nuk ka pas takime të veçanta, ka pas një takim kështu jo protokollar konsultativ, edhe s’ka pas asnjë motiv tjetër me përjashtim të saj, është diskutuar për mënyrën e shpërbërjes së Kuvendit. Ne e mbështesim shpërbërjen sepse vetëm në atë mënyrë iu hapet rrugë zgjedhjeve të lira. Shpresojmë që presidenti t’i ftojë partitë politikë për të caktuar datën e zgjedhjeve”, thotë tutje Svarqa për Express.

Kreu i LDK-së në Ferizaj ka sqaruar gjithashtu se statuti i partisë sa i përket kutoës 50 për qind plus 1 votë vazhdon të mbetet në fuqi edhe më tutje. Kjo mënyrë e votimit e pati eleminuar nga gara në vitin 2014-të deputeten Vjosa Osmani, derisa, Isa Mustafa ishte zgjedhur me aklamacion.

“Nuk kemi diskutuar sepse statuti është në fuqi, nuk është çështje e individëve. Mund të ketë më shumë kandidat dy tre, ndoshta edhe katër, nëse ka më shumë kandidatë do të respektohet procedura statutare që secili kandidat të drejtohet te kutitë e votimit edhe të përcaktojnë liderin e ardhshëm”, shpjegon tutje.

Svarqa po shton se nuk e di sa kandidatë mund te jenë saktësisht, por, që sipas tij me siguri bëhet fjalë për më shumë se një pretendent. Ai ka treguar se kush sipas tij e meriton këtë pozitë.

“Nuk e di vetëm në bazë të asaj që thuhet se mund të ketë më shumë. Unë nuk jam rreshtuar e as nuk besoj që asnjëri është rreshtu, të gjitha janë më shumë spekulime, cilido që do të fitojë të gjithë do ta përkrahim edhe do të ecim përpara sepse kështu e do rregulli demokratik”, tha ai.

Se a ka gjasa që Isa Mustafa ta kandidojë edhe njëherë për të ruajtur postin, kjo sipas kreut të LDK-së, është e mundur.

“Nuk e di është çështje e tij deri më tani nuk më ka rënë të shohë ndonjë kandidaturë të tij. E ka të drejtën absolute e ka menaxhuar partinë nuk kam asnjë vërejtje, është tash në dorën e tij”, ka thënë Svarqa, duke përfunduar se beson se LDK do të kalojë këtë proces pa asnjë incident.
/Express