Supremja e kthen në rigjykim rastin e Todsijeviqit për nxitje të urrejtjes

E publikuar: 28/12/2021 16:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka kthyer në rigjykim rastin e Ivan Todosijeviqit i dënuar me dy vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos-durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit I.T., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special i datës 05.12.2019, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, i datës 24.06.2021, dhe çështjen e ka kthyer në gjykatën e shkallës së parë, në rigjykim.

Më 5 dhjetor 2019, Gjykata e Prishtinës i kishte shqiptuar dënimin me dy vjet burgim efektiv ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës, për një deklaratë të dhënë vitin 2018, me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.