Sulmet në veri: Kërkohen pajisje mbrojtëse për punëtorët medialë – barra mbi shtetin

E publikuar: 04/01/2023 15:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekipet e mediave në Kosovë u përballën me rrezikun disa herë gjatë raportimit të tyre derisa në veri të vendit për 20 ditë ishin të vendosura barrikadat.

Me pengesa gjatë kryerjes së punës në atë pjesë të vendit dhejtorin e vitit të kaluar u ballafaqua edhe gazetarja e Klan Kosovës, Qendresa Bellagoshi, e cila pësoi lëndime, bashkë me shoferin Elsad Sinani.

Bellagoshi ka deklaruar se në zonën e Zupçit, ku ajo u lëndua, ishin lënduar edhe ekipe të mediave të tjera.

“Pas arritjes në afërsi të barrikadave të vendosura në fshatin Zupç, kemi vërejtur disa persona duke ecur në të njëjtin drejtim me ne, ndërkaq që nga momenti kur dy kolegët, kameramani Agon Bejtullahu, dhe gazetari Drin Demiri, kanë zbritur për të xhiruar kamionët e vendosur për bllokim të rrugës, kemi vërejtur se ky grup burrash po bëheshin gati për sulm, me që u panë duke marrë gurët”.

“Kjo bëri që të jemi të vetëdijshëm për rrezikun që do na kanosej kur do ktheheshim nga rruga e vetme që e kishim si opsion. Rrjedhimisht edhe kemi xhiruar pamjet e tyre në mënyrë që t’i kemi si dëshmi. Sulmi ka ndodhur pak sekonda pasi jemi nisur në drejtim të Mitrovicës së Jugut, duke lënë të lënduar vozitësin, Elsad Sinani, të cilin guri që theu xhamin e goditi në krahëror. Njëkohësisht edhe unë kam marrë lëndime në fytyrë nga copëzat e xhamit të thyer. E gjithë ngjarja është filmuar. Prania në veri në situatën e krijuar pas vendosjes së barrikadave përbënte rrezik vazhdimisht – në veçanti zonat si në Zupç, ku edhe ekipe tjera të mediave qenë sulmuar para nesh”, ka thënë Bellagoshi.

Sipas saj, pasi kishte sulme ndaj gazetarëve në atë pjesë të vendit, institucionet do të duhej të ofronin siguri.

“Meqenëse janë disa ekipe që janë sulmuar që prej ditëve të para kur është krijuar situata e tensionuar në ato komuna të vendit, do duhej që institucionet përgjegjëse të ofronin më tepër siguri për ekipet në terren. E po ashtu jashtëzakonisht e nevojshme do të ishte edhe që të siguroheshin mjete mbrojtëse, siç janë jelekët antiplumb”.

“Sulmet e shpeshta që ndodhën gjatë javëve prej vendosjes së barrikadave do të duhej të ishin alarm për rrezikshmërinë atje dhe për të marrë masa më të shpejta për t’i evituar rastet e ngjashme. Sulmet ndaj punonjësve të mediave janë përherë të papranueshme. Mediat janë dritarja e vetme nga ku mund të kuptohet gjithandej se çka realisht po ndodhë në atë zonë të Republikës”, ka thënë Bellagoshi.

Kërkesës së Bellagoshit për sigurim të mjeteve mbrotjëse për raportim në zona të tilla, ku sulmet janë të shpeshta, i përgjigjet pozitivisht Naile Dema-Selmani, anëtare e bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Ajo, për Klankosova.tv, ka pohuar se shumë shpejt ekipet e mediave do të kenë pajisje mbrojtëse.

“AGK-ja, ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar. Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është duke diskutuar për të siguruar pajisje për mbrojtjen e gazetarëve. Ne besojmë që në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare, këto pajisje shumë shpejt do të jenë në shërbim të punonjësve të mediave”, ka thënë Dema-Selmani.

Sulmet ndaj gazetarëve, ajo i sheh si një trend në rritje duke thënë se kjo është shumë shqetësuese sipas asociacionit të gazetarëve.

“Sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri. Prandaj, AGK në vazhdimësi bën thirrje në drejtim të organeve të rendit, dhe atyre që kujdesen për sigurinë në vend, që të bëjnë krejt çka është e mundur për të siguruar terren të sigurt për ushtrimin e punës së gazetarëve”.

Dema-Selmani ka thënë se deri më tani AGK-ja ka reaguar për pesë raste të sulmeve ndaj ekipeve televizive në veri, sa ishin të vendosura barrikadat.

Ndërkaq, juristja e mediave, Flutura Kusari, ka deklaruar se shteti e bartë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e gazetarëve. Sipas saj, deri tani shteti ka dështuar t’i mbrojë ata.

Për Klankosova.tv, ajo ka theksuar se veriu i Kosovës është aktualisht ndër vendet më të rrezikshme në Evropë për të raportuar.

“Gazetarët janë të pambrojtur dhe çdo ditë e rrezikojnë jetën e tyre për të informuar publikun. Mungesa e sundimit të ligjit dhe pamundësia e policisë dhe prokurorisë që të ndjekin sulmuesit nënkupton që kriminelët ndjehen të lirë të sulmojnë gazetarët. Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të siguruar gazetarët dhe kjo braktisje nga shteti ka rezultuar në pesë sulme në të cilat janë përfshirë rreth 13 punëtorë të mediave. Për më keq, prokuroria nuk ka dhënë asnjë informacion rreth ndjekjes së sulmuesve të gazetarëve”.

Kusari ka treguar se si duhet të veprojnë institucionet përgjegjëse pas këtyre sulmeve. Ajo thotë se qeveria dhe organet e rendet duhet urgjentisht të fillojnë zbatimin e Rekomandimit 2016 të Këshillit të Europës për Sigurinë e Gazetarëve.

“Minimalisht, Policia e Kosovës dhe MPB-ja duhet të zhvillojnë protokoll të sigurisë, në bashkëpunim të ngushtë më AGK-në dhe udhëheqësit e mediave. Protokolli duhet të përfshijë: caktimin e ekipeve të policëve që do të mbrojnë gazetarët, përcaktimin e pikave nga ku mund të raportojnë gazetarët (ndalimi i raportimit në mënyrë absolute kinse në emër të sigurisë nuk vjen në shprehje, ndonëse është metodë më e lehtë për policinë), obligimi i mediave që çdo ditë të informojnë policinë se cilën ekip e kanë në veri – nga cila orë deri në cilën orë – lidhje direkte telefonike dhe të menjëhershme të udhëheqësve të mediave dhe vetë gazetarëve në terren me njësitin përgjegjës për veri, etj”.

“Protokolli do t’i mbronte gazetarët jo vetëm nga kriminelët në veri por edhe nga disa redaktorë të cilët në emër të “ekskluzivitetit” çdo ditë kërkojnë nga gazetarët që të raportojnë nga zona tejet të rrezikshme. Jo të gjithe redaktorët por një numër i konsiderueshëm i tyre, të cilët për vete nuk kanë qenë kurrë në veri. Shteti bartë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e gazetarëve dhe deri tani shteti ka dështuar t’i mbrojë ata”, ka thënë Kusari për Klankosova.tv.

Barrikadat në veri kanë qëndruar për 20 ditë me radhë. Disa prej tyre vazhduan që të qëndronin të vendosura në “Kërshin e Dudës”, të cilat u larguan të martën nga KFOR-i.

Barrikadat në pjesët e tjera në veri të Kosovës janë hequr të gjitha më 29 dhjetor të vitit të kaluar, pasi ish-polici Dejan Pantiq, nga paraburgimi iu ndryshua masa me arrest shtëpiak. Ai u arrestua nën dyshimin se sulmoi zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në veri.