Sulmet kibernetike, ekipi i NATO-s mbërrin në Shqipëri

E publikuar: 21/09/2022 16:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ekip i NATO-s ka mbërritur në Shqipëri për të asistuar qeverinë në nivel politik dhe teknik pas sulmeve kibernetike.ADVERTISING

Vizita vjen pas komunikimit të Kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg.

Delegacioni i kryesuar nga zëvendës asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt James Appathurai u takua fillimisht me Ministrin shqiptar të Mbrojtjes Niko Peleshi.

Gjatë konferencës së përbashkët, ministri Niko Peleshi sqaroi qëllimin e vizitës së ekipit të Aleancës në vendin tonë.

“Ky ekip vjen në vendin tonë për të dhënë asistencë në lidhje me çështjet kibernetike, njohje me situatën aktuale si dhe nevojat dhe mundësitë për adresimin e këtyre çështjeve në vazhdim. Pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturës së teknologjive të informacionit të shtetit shqiptar tashmë të identifikuara për nga origjina, i menjëhershëm ka qenë reagimi dhe përgjigja e strukturave të specializuara të vendit në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate”, the Peleshi.

“Këto sulme kishin për qëllim shkatërrimin e plotë të sistemeve dhe platformave të shërbimeve shtetërore, por nuk arritën qëllimin e fshirjes dhe shkatërrimit të të gjithë sistemeve tona të teknologjive të informacionit. Qeveria shqiptare reagoi menjëherë pasi siguroi prova të pakundërshtueshme për origjinën e sulmit duke ndërprerë menjëherë marrëdhëniet me Iranin”, shtoi Peleshi.

“Aleatët tanë dënuan ashpër sulmet dhe dolën krah Shqipërisë nëpërmjet deklaratave të ndryshme apo dhe me afrimin e asistencës së specializuar në fushën kibernetike. Aktualisht pas afro 5 javësh punë intensive është bërë i mundur rikthimi i sistemeve dhe platformave të ndryshme në shërbim të qytetarëve të vendit tonë”, sqaroi ministri i Mbrojtjes.

Sipas ministrit Peleshi, “këto sulme kanë treguar se nuk mund të jemi të mbrojtur në mënyrë permanente, por duhet të jemi vigjilentë dhe të aftë të mbrojmë infrastrukturën dhe teknologjitë e informacionit të vendit tonë duke investuar më shumë në drejtim të luftës kibernetike. Investime të shumta janë bërë këto vite, por kjo është një luftë e re që ka marrë tjetër intensitet edhe pas agresionit rus në Ukrainë, që ka prishur ekuilibrat gjeopolitikë dhe ka ndryshuar skemën e sigurisë”.

Ministri garantoi se sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes kanë qenë të paprekura nga sulmi, sepse janë të shkëputura nga rrjeti i përgjithshëm i komunikimit, por pavarësisht kësaj është rritur gatishmëria dhe niveli i vëmendjes dhe sigurisë për të gjitha këto sisteme.

Ministri Peleshi falënderoi edhe aleatët për qëndrimin e mbajtur menjëherë pas sulmeve, duke ofruar asistencën e tyre për të penguar sulmet kibernetike në të ardhmen.

“Vizita e ekipit të sotëm është një dëshmi solidariteti e mbështetjes, e reagimit të menjëhershëm të Aleancës, ku ne bëjmë pjesë NATO-s. Duke qenë një prej aleatëve të NATO-s na bën të jemi të sigurtë, por natyrisht duhet më shumë vigjilencë nga të gjitha institucionet”, u shpreh ministri Peleshi.

Ndërsa zv.asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt James Appathurai u shpreh se në këtë rrugëtim Shqipëria nuk është e vetme, sepse NATO e mbështet.

“Të gjitha vendet e NATO-s e njohin sulmin që i është bërë Shqipërisë dhe sigurisht e mbështesin atë në këtë drejtim. Ky është dhe mesazhi që Sekretari i Përgjithshëm i dha Kryeministrit Rama në takimin e kaluar. Sigurisht doja të theksoja dhe përpjekjet e shumta që ka bërë shteti shqiptar duke nisur nga qeveria deri poshtë te niveli i ulët për të përballuar këto sulme që janë bërë”, tha Appathurai.

Sigurisht ndihma ka ardhur nga NATO, ka ardhur në nivel teknik nga vende të ndryshme të NATO-s, por edhe në nivelin individual nga struktura të ndryshme. Unë dhe ekipi im kemi ardhur këtu për disa arsye të ndryshme, por fillimisht arsyeja kryesore është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s në lidhje me sulmin kibernetik që ka ndodhur, për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe Shqipëria po bën hapa përpara në këtë fushë”, u shpreh Appathurai, duke theksuar edhe një herë për mbrojtjen e Aleancës në këtë betejë.

Ekipi i NATO-s do të takohet edhe me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, si dhe me përfaqësues të AKSHI. /Telegrafi/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com