Stuhitë e dëborës pengojnë fluturimet dhe shkaktojnë dëme në disa zona të Kinës

E publikuar: 09/11/2021 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet meteorologjike në disa rajone të nivelit provincial të Kinës veriore dhe verilindore kanë lëshuar alarme për stuhi dëbore, të cilat ndikojnë edhe në trafikun rrugor dhe ajror, njofton “Xinhua”.

Qyteti Tongliao në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës veriore është prekur nga stuhia më e fortë e borës e regjistruar ndonjëherë, me pesë stacione meteorologjike lokale që raportojnë reshjet maksimale ditore të borës në dekada, thanë autoritetet lokale të hënën. Të dhënat flasin për reshje prej më shumë se 30 mm dhe maksimalet në qytet që i kaluan 50 cm.

Në tre ditët e ardhshme, stuhitë e borës pritet të dobësohen gradualisht në Tongliao, thanë autoritetet lokale meteorologjike.

Shumica e kopshteve dhe shkollave fillore e të mesme të qytetit pezulluan mësimet, ndërsa aeroporti lokal është mbyllur.

Aeroporti ndërkombëtar “Hohhot Baita” në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme ka nisur një plan reagimi emergjent për mot të veçantë dhe shumë fluturime hyrëse dhe dalëse janë anuluar.

Ndërkohë, shumë rrugë në provincat e tjera në veri të Kinës, përfshirë Hebei dhe Shanxi, u mbyllën përkohësisht. Stuhitë e papritura të borës kanë përfshirë edhe provincën më veriore të Kinës, Heilongjiang. Aeroporti në Harbin, kryeqendra e provincës, u mbyll mëngjesin e të hënës për shkak të akullit në pistë, por autoritetet përkatëse vijuan punën për të pastruar pistën.

Departamenti i Transportit provincial njoftoi se ka mobilizuar forcat për të hequr dëborën nëpër rrugë.

Përveç mbylljes së rrugëve dhe aeroporteve, dëbora e madhe bëri që të shemben çatitë e shumë serave për rritjen e perimeve në Shenyang. (Fatosi) /Foto nga VCG/