Stoltenberg telefonon Kurtin: Të ruhet qetësia, të mbështetet dialogu në Bruksel

E publikuar: 02/08/2022 14:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në lidhjet me zhvillimet e fundit në veri.

Stoltenberg ka thënë se gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, njofton Klankosova.tv.

“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar Stoltenberg.

Telefonata vjen pas tensioneve që u ngritën në veri të vendit, për reciprocitetin që vendosi qeveria e Kosovës ndaj Serbisë për letërnjoftimet dhe targat.

Serbët lokalë vendosën barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Bërnjak dhe Jarinjë.

Pas kësaj, me kërkesë të ambasadorit amerikan, u kërkua që nga Qeveria e Kosovës të shtyjë vendimin për reciprocitet për 30 ditë.

Qeveria e Kosovës vendosi që ta shtyjë vendimin për një muaj, kur u hoqën barrikadat e fundit që kishin vendosur serbët lokalë.

Gjatë ditës së sotme, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier mirëpriti vendimin e Qeverisë për ta shtyrë për një muaj vendimin për reciprocitetin ndaj Serbisë.