“Srpska Lista” ofendon dhe akuzon ambasadorin francez për qëndrim anti-serb pas takimit me Rashiqin

E publikuar: 07/03/2025 16:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lista Serbe përmes një komunikate për media kanë reaguar ashpër dhe kanë ofenduar ambasadorin francez në Prishtinë, Olivier Guerot, i cili sot ka takuar ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, me të cilin ka folur edhe për krijimin e Qeverisë së Kosovës, meqë Rashiq ka fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Lista Serbe kanë thënë se për Guerot “arritja më e madhe diplomatike është zhvendosja e përmendores së ushtarëve serbe të rënë në Prishtinë”.

Sipas kësaj partie e cila kontrollohet plotësisht nga Beogradi, me një veprim të tillë Guerot “ka treguar se çfarë mendon për serbët” dhe sipas “Srpskas” “pse do ta pengonte tani fakti që me votat e shqiptarëve po iu vidhet serbëve një mandat deputeti”.

“Siç e kemi thënë edhe sot – dhjetë vende në parlament u takojnë serbëve dhe fitohen me votat e serbëve, le të jenë të sigurt të gjithë në Prishtinë dhe sponsorët e tyre ndërkombëtarë se nuk do të lejojmë që me votat e shqiptarëve të thyhet kjo dhe të uzurpohet një vend deputeti i destinuar për serbët. Atyre u mbetet vetëm të bëjnë foto. Së bashku.”, përfundon njoftimi i “Srpskas”.