Halil Berisha nuk është dëshmitar kundër krerëve të OVL -UÇK, ai është atje nën detyrim

E publikuar: 26/10/2021 18:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari, Halil Berisha pa vullnetin e tij, të martën është paraqitur në procesin e gjykimit të dy krerëve të OVL-së së UÇK-së, kryetarit Hysni Gucati dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj, lidhur me publikimin e dokumenteve të pretenduara si “dokumente të Gjykatës Speciale”.

Për hirë të korrektësisë, Gazeta Infokus sqaron se gazetari Halil Berisha, nuk është dëshmitar kundër krerëve të OVL-UÇK-së. Me punën dhe profesionalizmin e tij ai ka mbrojtur vlerat UÇK-së e në rastin konkret krerët e organizatave të UÇK-së duke mos publikuar dosjet qe kishte në posedim të siguruara në konferencën publike për media.

Lexo Edhe:

Gazetari kosovar në Gjykatën Speciale: Më obliguat të paraqitem këtu si dëshmitar, s’jam i lumtur

Halil Berisha, i cili në atë kohë ishte redaktor dhe gazetar në Gazetën Infokus, me profesionalizëm të lartë dhe kujdes maksimal ka trajtuar të gjitha materialet në posedim.

Njëkohësisht, në koordinim me kolegjiumin e redaksisë, është vendosur që të mos publikohet asnjë dokument, përkundër interesimit publik, duke konsideruar se mund të kenë pasoja për palët e përfshira e njëkohësisht edhe për vetë krerët e OVL-UÇK-së.

Gjithashtu, kemi qenë të kujdesshëm për ta ruajtur kopjen të cilën e kemi pasur në posedim, të siguruar në konferencën e OVL-UÇK-së, në mënyrë qe ajo mos të shpërndahet e me pas të publikohet nga ndonjë palë tjetër.

Pra me kujdesin më të madh, duke ruajtur kofidencialitetin e çdo të dhëne të ndjeshme në ato dokumente, gazetari Berisha e ka kryer detyrën e gazetarit me përgjegjësi të lartë morale e profesionale.

Në këtë rast, kemi vendosur kështu duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për pasojat dhe kemi vepruar konform parimeve gazetareske dhe legjislacionit.

Gazeta Infokus, ka njoftuar edhe kur janë marrë këto dokumente nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Këtë e kemi bërë duke konsideruar se një gazetar apo redaksi derisa vendos se një dosje është e njëshme dhe nuk mund të jetë e qasshme për publikun atëherë nuk duhet të jetë në duart të gazetarëve.

Dokumentet të cilat i kishte Infokusi për shkak të ndjeshmërisë së lartë ishin ruajtur me kujdesin më të madh, duke mos cenuar asnjë informatë të ndjeshme.