Spitali i Vushtrrisë vetëm me dy kirurgë në punë, drejtoresha tregon për vështirësitë në bllokun operativ

E publikuar: 13/01/2023 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed” ka mbetur me vetëm dy kirurgë.

Kjo pasi tre të tjerë u suspenduan pasi që dyshohen se janë të përfshirë në korrupsion dhe të njëjtit  kanë marrë para nga pacientët për të kryer operacione në spitalin e Vushtrrisë.

Pas suspendimit të mjekëve të dyshuar, spitali po ka vështirësi në kryerjen e operimeve.

Lajmin për Front Online e ka konfirmuar drejtoresha e këtij spitali, Shefkije Shatri.

Ani pse është numër shumë i vogël, Shatri thotë se blloku operativ nuk ka rënë.

“Në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri janë aktualisht dy kirurgë. Megjithatë edhe pse aktualisht i kemi dy kirurgë, puna operative po vazhdon në pajtim me planin operativ të dy kirurgëve. Kujdestaritë me dy kirurgë është e pamundur të organizohen, megjithatë blloku operativ nuk ka rënë”, tha ajo.

Shatri thotë se nëse vazhdojnë me këtë numër të vogël të kirurgëve, janë të detyruar të kërkojnë mbështetjen nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Ajo ka treguar se tashmë kanë shpallur konkursin dhe po presin që të ketë kandidatë.

“Për shkak të rritjes të volumit të madh të punës, ne e kemi shpallur konkursin publik për dy kirurgë, për çka janë duke u zhvilluar procedurat. Dhe së shpejti përfundon ky proces. Shpresojmë të kemi kandidatë në të kundërtën detyrohemi të kërkojmë mbështetjen edhe te SHSKUK për bashkëpunim në fushën e Kirurgjisë”, u shpreh Shatri.

Shatri ka treguar se gjatë vitit që lamë pas në këtë spital janë kryer mbi 1800 operime nga ekipi i përbërë nga 5 kirurgë.

E për listën e pritjes për operime thotë se nuk kanë informacione, pasi që siç tha ajo, listat e pacientëve të operuar janë të planifikuara nga mjekët dhe shefi i bllokut.

“Numri i pacientëve ka qenë në vazhdimësi i madh. Gjatë vitit 2022 në Spital janë kryer 1808 operime me ekipin e përbërë prej 5 kirurgë. Duke pasur parasysh se listat e pacientëve të operuar janë të planifikuara nga mjekët dhe shefi i bllokut, për momentin nuk e dimë saktë sa është numri i pacientëve që janë në pritje”, tha ajo për Front Online.

Një skandal ka shpërthyer gjatë kësaj jave në Spitalin e Vushtrrisë. Atje janë arrestuar dy kirurgë e një tjetër po kërkohet nën dyshimin për “marrje ryshfeti”.

Dy mjekët, Dr. Arsim Latifaj e Dr. Ekrem Sefiu, u ndaluan të martën. I treti, Dr. Isuf Zekaj, ka ftesë nga policia që të paraqitet në stacionin policor, por ai ende nuk është paraqitur në hetuesi.