Spektakël në tribuna dhe në fushë, Drita fiton me rikthim ndaj Feronikelit

E publikuar: 29/04/2018 18:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drita ka marrë një fitore të madhe përballë Feronikelit, me përmbysje 3-1.

Kastriot Rexha fillimisht rrezikoi për Dritën me kokë por që goditja e tij nuk ishte e saktë.

Rastin më të mirë për Dritën e pati Haxhi Neziraj në minutën e 22-të kur goditi bukur brenda zonës por edhe më mirë priti Faton Maloku duke quar topin në këndore.

Drita kishte iniciativën në këtë sfidë, por në minutën e 30-të u befasuan nga mysafirët.

Mendurim Hoti mori një pasim të bukur dhe me një goditje të bukur nga distanca shënoi për 0-1.

Drita u mundua të rikthehej në lojë në minutën e 38-të kur kapiteni Ardian Limani rrezikoi me kokë por pa sukses.

Kastriot Rexha pati një tjetër mundësi në minutën e 44-të por goditja e tij ishte qendrore.

Me epërsinë minimale të mysafirëve 0-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Që nga fillimi i pjesës së dytë Drita u vërsul në sulm për ta gjetur golin e barazimit.

Këtë gjë vendasit e arritën në minutën e 61-të kur pas një harkimi në zonë të Xhevdet Shabanit, ishte Bujar Shabani që dërgoi topin në rrjetë.

Mysafirët protestuan ashpër pasi paraprakisht nuk u ndal topi për një ndërhyrje të Musajt në Halitin.

Drita ishte shumë pranë të shënonte në minutën e 76-të kur Kastriot Rexha nga afërsia me kokë goditi por topi u ndal nga shtylla, ndërsa topin e rikthyer Krasniqi tentoi të shënoj por që Maloku priti.

Në minutën e 88-të Drita fitoi një penallti pasi Ahmet Haliti luajti me dorë në zonë dhe Tefik Maloku akordoi 11 metërsh.

Nga pika e bardhë i saktë ishte qendërmbrojtësi Fidan Gërbeshi për 2-1.

Goli bëri që të shpërthejnë tifozët e flaktë të Dritës ‘Intelektualët’ të cilët e kishin mbushur sot stadiumin e qytetit në Gjilan.

Gjyqtari akordoi nëntë minuta shtesë pas ndërprerjeve të shumta që ndodhën në fushë.

Në minutën e 97-të, Drita doli në kundërsulm ku Livoreka pasi kaloi edhe portierin Faton Maloku asistoi te Kryeziu që shënoi për 3-1.

Kësisoj Drita mbetet e vetme në krye të tabelës me 59 pikë të tubuara, tri më shumë se Prishtina.

Feronikeli në anën tjetër zë pozitën e tetë në tabelë me 42 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme lideri aktual i Superligës së Kosovës do ta luaj derbin lokal me Gjilanin.

Ndërkohë Feronikeli i Sulejman Starovës do të ketë një tjetër sfidë të vështirë pasi pret Prishtinën në Drenas. /Telegrafi/