Specialja në ‘mbyllje hermetike’: Katër ditë seanca private për dëshmitaren e parë

E publikuar: 11/04/2023 17:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

U paraqit si e para dëshmitare në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por Dhomat e Specializuara vendosën të censurojnë çfarëdo përgjigje që kjo grua, do jap para Trupit Gjykues.

Kjo pritet të ndodhë në çështjen e saj, edhe gjatë katër seancave të ardhshme, përcjell klankosova.tv.

Një gjë e tillë u vendos me kërkesë të Prokurorisë Speciale, meqë kërkoi të përfshijë materiale të reja në lidhje me dëshminë e dëshmitares së mbrojtur.

Ky vendim u kundërshtua ashpër nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, me arsyetimin se nuk është ne përputhje me rregullat e Gjykatës Speciale.

E gjitha pasi prokuroria kërkoi të përfshijë në cilësinë e materialit përgatitor shtesë, paragrafët 18 deri në 21, krahas materialit që përmban dëshminë e gruas së panjohur e cila konfirmoi se është intervistuar dy herë në Prishtinë nga Prokurorët Specialë.

Pas një përballjeje mes mbrojtjes, prokurorisë dhe kreut të trupit gjykues, prokuroria kërkoi që e tërë dëshmia katër ditore të mbahet në seancë të mbyllur, gjë që u aprovua nga kryegjykatësi.

Mbrojtja tha se sipas rregullores këto materiale mund të dorëzohen gjashtë javë pasi të bëhet kërkesa e jo në këtë mënyrë.

”Është pak proces i çuditshëm kështu”, u shprehën nga mbrojtja.

Teksa gjykatësi tha se mbrojtja ka në dispozicion 14 orë për pyetje drejtuar dëshmitares së mbrojtur.

Në fakt, “mbyllja hermetike” e Speciales është ajo që e ka karakterizuar këtë institucion të drejtësisë që nga nisja e punës së saj.

Madje, akuza për këtë sjellje, ndaj Speciales kanë pasur edhe avokatët mbrojtës.

Këta të fundit, disa herë janë ankuar se Prokuroria e Specializuar ka “fshehur” materiale shfajësuese, e më pas edhe materialet e tjera që do të duheshin të zbuloheshin në kohë për të mundësuar mbrojtje efektive.

Për më tepër, Prokuroria e Specializuar pretendonte që gjyqin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ta niste në mes të vitit 2021, ndonëse avokatët thonin se një gjë e tillë është përtej absurdes.

Gjyqi ndaj krerëve të UÇK-së nisi javën e kaluar me deklaratat hyrëse të Prokurorisë, mbrojtjes, si dhe avokatëve të viktimave.Nga pretendimet e prokurorisë, të zbardhura deri tash, është zbuluar se akuzat ndaj krerëve të UÇK-së, nuk kanë të bëjnë asgjë me trafikimin e organeve, për hetimin e të cilave edhe është themeluar ky institucion që paguhet me miliona euro për ta kryer punën e vet.

Për këtë vit, janë parashikuar gjithësej 81 seanca gjyqësore ndaj krerëve, kurse në procedurë, janë gjithësej 140 viktima pjesëmarrëse dhe rreth 300 dëshmitarë.