Sot përfundon afati ligjor për deklarimin e pasurisë, rreth 550 zyrtarë nuk i janë përgjigjur kërkesës  

E publikuar: 31/03/2022 11:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot është dita e fundit për përmbushjen e obligimit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, ndërsa obligimit ligjor ende nuk i janë përgjigjur edhe rreth 550 zyrtarë publik.

Kështu bën të ditur Agjencia kundër korrupsionit.

AKK ju bën thirrje zyrtarëve publik që tashmë nuk e kanë kryer obligimin ligjor, ta shfrytëzojnë kohën e mbetur.

“Formulari i deklarimit mund të dorëzohet fizikisht në zyrat e AKK -së gjatë orarit të rregullt të punës ose i skanuar dhe nënshkruar nëpërmjet adresës elektronike [email protected].

Zyrtarët publik duhet ta deklarojnë gjendjen e pasurisë së tyre dhe anëtarëve e familjes së tyre, informatat rreth pasurisë, të ardhurave të tyre, si: palujtshmëria, pasuri e luajtshme në vlerë mbi tremijë euro, zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri tregtare, letra me vlerë, para të kursyera në bankë dhe në institucione tjera financiare, detyrime financiare ndaj personave fizik dhe juridik dhe të hyrat vjetore, të realizuara brenda apo jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Agjencia kundër Korrupsionit rikujton zyrtarët e lartë publik, që mos-deklarimi paraqet vepër penale dhe e detyron AKK-në të veprojë në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal të Kosovës.

Afati ligjor për deklarim të rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2021 është 1 deri 31 mars 2022.