Sot mban mbledhje Qeveria e shkarkuar e Isa Mustafës

E publikuar: 15/05/2017 08:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sot do të mbajë mbledhjen e Qeverisë së shkarkuar të Kosovës.
Cilat do të jenë temat e kësaj mbledhjeje ende nuk dihet.

Qeveria e Kosovës javën e kaluar u shkarkua nga shumica parlamentare e krijuar pas shpalljes së mocionit të mosbesimit nga partia opozitare Nisma dhe u përkrah nga AAK e VV. Mocionin e votoi edhe partneri i koalicionit PDK gjë që bëri që Qeveria “Mustafa” të shkarkohet.

Mustafa është zgjedhur kryetar i Komunës së Prishtinës, në dhjetor të vitit 2007 dhe në nëntor të vitit 2009. Punën dhe ekspertizën profesionale e ka filluar në vitin 1974, në Universitetin e Prishtinës. Ndërohë ka qenë edhe kryetar i Qeverisë Komunale të Prishtinës (1984-1988), drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës dhe Ministër i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës (1991-1999). Pas luftës është angazhuar kryesisht në punën shkencore dhe hulumtuese në Institutin Riinvest dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës “Dardania”, anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Prishtinë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës. Një kohë ka qenë edhe Këshilltar i Lartë i Presidentit të Republikës së Kosovës. Në kuadër të programeve të bashkëpunimit dhe ngritjes profesionale e shkencore ka qëndruar disa herë në universitete të huaja.

Ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në disa projekte vendëse dhe ndërkombëtare në fushën e zhvillimit ekonomik, sidomos ato që kanë të bëjnë me politikat fiskale, arsimin dhe zhvillimin ekonomik lokal. Ka botuar disa tekste universitare, tekste për shkolla të mesme si dhe punime të tjera shkencore dhe profesionale në vend dhe jashtë vendit. Ka qenë aktivisht i angazhuar në grupet e ekspertëve në bisedimet e Vjenës për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në periudhën e viteve 1990-1999, pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, është ndjekur nga regjimi serb dhe ka qëndruar jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Slloveni dhe Kroaci, ku si ministër i Ekonomisë dhe Financave ka qenë njëri nga ideatorët dhe themeluesit e “Sistemit të Financimit të Republikës së Kosovës”, i cili falë mbështetjes së bashkatdhetarëve dhe popullit të Kosovës arriti të sigurojë mbijetesën në Kosovë, funksionimin e arsimit dhe mbështetjen e rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare. Prej Kuvendit të Gjashtë të LDK-së ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në nëntor të vitit 2010 është zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokrarike të Kosovës. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.