Sondazhi: Ekonomia e Kinës, ndikim pozitiv në ekonominë botërore

E publikuar: 10/08/2022 12:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 78.34 për qind e të pyeturve nga 22 vende të botës besojnë se ekonomia kineze i ka sjellë gjallëri ekonomisë globale në një dekadë dhe është bërë motori i ekonomisë botërore, sipas një sondazhi të përbashkët të kryer nga CGTN dhe Universiteti “Renmin” i Kinës.
Mosha mesatare e pjesëmarrësve në sondazh është 38.64 vjeç. Ata janë nga vende të zhvilluara, si ShBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Japonia, Koreja e Jugut e Singapori, por edhe prej vendeve në zhvillim, si Brazili, Argjentina, Meksika, Tajlanda, India, Pakistani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Nigeria, Kenia dhe Afrika e Jugut.
Mbi gjysma e të pyeturve kanë arsim të lartë. 54.71 për qind kanë diplomë universitare ose më lart, dhe 15.22 për qind mbajnë gradë “master” ose “doktor”.
Sondazhi tregon se 91.46 për qind e pjesëmarrësve nga Afrika vlerësojnë lart arritjet ekonomike të Kinës, pasuar nga Evropa me 81.6 për qind, ndërsa Amerika e Veriut renditet e treta me 78.09 %.
84.13 për qind e të pyeturve nga vendet pjesëmarrëve në nismën “Një brez, një rrugë” vlerësuan lart arritjet ekonomike të Kinës.
Prodhimi i brendshëm bruto për frymë i Kinës është rritur nga 6 100 dollarë në më shumë se 12 000 dollarë gjatë dhjetë vjetëve të fundit, gjë për të cilën 76.65 për qind e të pyeturve besojnë se është e surprizuese. Mbi 70 për qind e pjesëmarrësve në sondazh nga pesë kontinente besojnë se Kina po pasurohet.

Për sa i përket zhvillimit të shpejtë të teknologjisë, të pyeturve u bën më shumë përshtypje zhvillimi i teknologjisë 5G, i inteligjencës artificiale dhe i hekurudhës me shpejtësi të lartë në Kinë. Në Afrikë, 73.87 për qind e të pyeturve kishin mbresa më të mëdha nga teknologjia 5G e Kinës dhe 55.28 për qind vlerësuan hekurudhën me shpejtësi të lartë. Ndërkohë, 52.77 për qind të të pyeturve evropianë u ka bërë përshtypje përparimi i Kinës në fushën e inteligjencës artificiale.