“S’mund të tolerohen tanket e avionët që mësyjnë kufijtë e Kosovës, Shqipëria s’duhet të heshtë”

E publikuar: 25/09/2021 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të Kosovë.

Ai ka thënë se aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Bashka ka shtuar se nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit.

”Postimi i plotë:Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të drejtë dhe legjitim të qeverisë për vendosjen e reciprocitetit.

Aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi zyrtar, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të Aleksandër Vuçiç.

Shpreh mbështetjen e plotë dhe të fuqishme për qeverinë e Kosovës, institucionet e saj dhe të gjithë faktorin politik të angazhuar në përballimin e kësaj situate.

Detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit.