S’ka vendimmarrje, dështon sërish Projektligji për vlerat e UÇK-së

E publikuar: 29/10/2020 12:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

As në seancën e sotme plenare nuk pati kuorum për votimin e projektligjeve dhe propozim-rezolutave, të mbetura nga seancat e kaluara. Bëhet fjalë për projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, për propozim-rezolutën nga raportimi i kryeministrit të Kosovës në lidhje me dialogun, propozim-rezolutën nga interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, votimin në parim të Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19 dhe as për projektligjin për ndryshim e Ligjit për Automjete.

Shkaku i mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e sotme me rreth një orë vonesë. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani i ka ftuar grupet parlamentare që t’i thërrasin deputetët në seancë pasi, sipas saj, nuk ka kuorum për të filluar seanca.

E, vetëm 31 deputetë kanë votuar në parim Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Kryetarja Osmani tha se nuk ka kuorum për vendimmarrje.

“Vetëm 31 deputetë kanë marrë pjesë në votim, rrjedhimisht nuk ka kuorum për vendimmarrje”, ka shtuar ajo.

Kuorum nuk pati as për votimin e propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit të Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

“27 vota për 1 kundër. Nuk ka kuorum për vendimmarrje”, ka shtuar Osmani.

Gjithashtu me 27 vota për, 1 kundër nuk kishte kuorum për votimin e Propozim-rezolutës nga Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

“Sërish 27 për dhe 1 kundër, nuk ka kuorum për vendimmarrje”, ka njoftuar kryeparlamentarja

Edhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19” nuk kishte kuorum pasi kishte marrë vetëm 15 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim. As votimi në parim i Projektligjit për ndryshim plotësimin e Ligjit për Automjete, nuk kishte kuorum për votim. Kjo pikë i ka marr vetëm 32 vota për. Ndërsa, pika për votimin e propozim-rezolutës nga Interpelanca me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur edhe nga 8 deputetë të GP të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike është shtyrë për një seancës tjetër me kërkesën e deputetit të PDK-së Abelard Tahiri, i cili tha se deputetja Besa Ismaili – Ahmeti është me infektuar me COVID-19 dhe nuk është prezent në seancë./Sh.Pajaziti