Situata me virusin vdekjeprurës, MPJ kërkon nga kosovarët të shmangin udhëtimet në Kinë

E publikuar: 30/01/2020 16:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin udhëtimet në Kinë.

Për shkak të virusit vdekjeprurës, “koronavirus”, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka këshilluar dhe kërkuar nga qytetarët e saj që të mos udhëtojnë për në Kinë.

Përmes një njoftimi për medie MPJ po ashtu ka kërkuar nga të gjithë shtetasit kosovarë që ndodhen jashtë vendit, të evitojnë daljet nëpër vende ku ka dyshime për ekspozim ndaj këtij virusi, meqë shqetësimi më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është bartja e tij prej njeriut tek njeriu, shkruan lajmi.net.

Njoftimi i plotë i MPJ-së pa ndërhyrje:

Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje shtetasve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt Kinës, pasi virusi vdekjeprurës i quajtur “coronavirus”, i cili shpërtheu muajin e kaluar në qytetin Ëuhan, është shfaqur edhe në Tibet, dhe kështu konfirmohet prania e tij në të gjithë territorin kinez.

Autoritetet kineze të shëndetit publik kanë bërë të ditur se deri më tani janë konfirmuar 7,711 veta të infektuar në Kinë, ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë coronavirus-i është përhapur edhe në të paktën 15 shtete të tjera të botës, përfshirë Zvicrën, Francën dhe Gjermaninë.

Numri i vdekjeve nga coronavirus-i, që dyshohet të ketë shpërthyer nga një rezervuar kafshësh, është rritur në 170 veta, ndërkohë që përpjekjet shkencore për të gjetur vaksinën vrasëse të virusit janë intensifikuar, edhe pse sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka rrezik që zbulimi i saj të mos ndodhë edhe disa muaj.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton të gjithë shtetasit kosovarë që ndodhen jashtë vendit, të evitojnë daljet nëpër vende ku ka dyshime për ekspozim ndaj këtij virusi, meqë shqetësimi më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është bartja e tij prej njeriut tek njeriu.

Po ashtu ftohen të gjithë shtetasit kosovarë që mund të jenë të bllokuar në Kinë, apo kanë simptoma të infeksionit nga ky virus (pavarësisht vendndodhjes), të kontaktojnë Ambasadën më të afërt për ndihmë.

Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje edhe institucioneve përkatëse shëndetësore dhe atyre të sigurisë kombëtare,të zbatojnë masat e nevojshme të parandalimit të kësaj epidemienë kufijtë e Republikës së Kosovës,duke ndaluar në pikat kufitare të infektuarit dhe të dyshuarit e mundshëm, përfshi izolimin nga kontakti me njerëz, futjen në karantinë dhe monitorimit e gjendjes së tyre shëndetësore.

Të dhëna më të hollësishme për publikun rreth rrezikut nga epidemia, mund të gjenden në ueb-faqen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila po ashtu ka paralajmëruar se së shpejti do të mund të merr vendim për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, emergjente, për mbrojtje nga virusi vrasës.