Sindikata e RTK-së letër Kuvendit: Kemi pritur nga kjo legjislaturë të përmirësojë kushtet e punës

E publikuar: 01/05/2020 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së i ka drejtuar sot një letër Kuvendit të Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të Punës.
Kjo sindikatë thotë se kanë pritur kjo legjislaturë të përmirësojë kushtet e punës, të ndërtohet objekti i ri i RTK-së, të miratohet ligji i ri i RTK-së, i cili parasheh financim të përhershëm e të pavarur dhe po ashtu cakton lartësinë se sa duhet të ketë buxhet Transmetuesi Publik në vend.Letra e plotë:Letër drejtuar Kuvendit të Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të PunësSindikata e Punëtorëve e RTK-së ua rikujton deputetëve të Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së se kushtet e punës në RTK, jo që nuk janë përmirësuar, por ato vazhdojnë të përkeqësohen çdo ditë e më shumë. Në këtë ditë, Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka shumë arsye të protestojë dhe një gjë të tillë edhe kemi pasur në plan, por për shkak të situatës me Covid-19, ne po ju drejtohemi me këtë letër në shenjë proteste.
Të nderuar deputetë, ne kemi pritur nga kjo legjislaturë të përmirësojë kushtet e punës, të ndërtohet objekti i ri i RTK-së, të miratohet ligji i ri i RTK-së, i cili parasheh financim të përhershëm e të pavarur dhe po ashtu cakton lartësinë se sa duhet të ketë buxhet Transmetuesi Publik në vend. Para disa javësh, Qeveria e Kosovës, në projektbuxhetin e saj e vështirësoi edhe më shumë punën e Transmetuesit Publik duke ia ulur buxhetin RTK-së afër dy milionë e gjysmë, buxhet që edhe ashtu nuk i plotësonte nevojat për të funksionuar RTK-ja.

Ju sugjerojmë t’i shihni mediumet publike në vendet fqinje sa e kanë buxhetin vjetor dhe sa e ka Transmetuesi Publik në Kosovë e sidomos me uljen që iu bë para një muaji.Ju bëjmë thirrje deputetëve që menjëherë ta rishikojnë këtë vendim dhe të kthehet lartësia e buxhetit të RTK-së, ashtu siç parashihet me ligjin aktual të RTK-së. Në të kundërtën, me lehtësimin e masave nga Qeveria e Kosovës do të fillojmë me protesta pasi rrezikohet funksionimi i RTK-së dhe ekzistenca e punëtorëve në RTK, e të cilët në çdo kohë, pavarësisht rrethanave, janë të angazhuar për të informuar publikun e gjerë kosovar dhe jo vetëm.I bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më parë ta trajtojë çështjen e RTK-së dhe të plotësohen kërkesat e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.

Me respekt,
Kryesia e SPERTK-së