Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka propozuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës që të aprovohet vendimi për anëtarët e bordit drejtues për sigurime shëndetësore, propozim ky i aprovuar pa asnjë votë kundër.
“Në pajtim me rregulloren e punës së Qeverisë propozohet që të merret vendim për anëtarët e bordit drejtues për sigurime shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar për sigurimet shëndetësore dhe në mënyrë që të arrihet ajo ministria është duke punuar në funksionalizimin e plotë të këtyre sigurimeve”, ka thënë ministri Ismaili, shkruan Indeksonline.
Gjithashtu Ismaili ka thënë se sipas ligjit për sigurime shëndetësore anëtarët e bordit drejtues emërohen nga Qeveria e Kosovës në bazë të propozimit të institucioneve përkatëse.
“Pas konsultimit të institucioneve përgjegjëse i propozohet qeverisë që të marrin këtë vendim dhe t’i hapin rrugë funksionalizmit të bordit të sigurimeve shëndetësore”, ka shtuar Ismaili.
Ndryshe Qeveria e Kosovës ka arritur të aprovojë propozimin për bordin drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim./Indeksonline/