Sigurimet shëndetësore, Hoti: U bë për të mbuluar “dështimin 4-vjeçar”

E publikuar: 18/09/2024 17:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Projektligji për sigurime shëndetësore, që u miratua në Qeveri para disa javësh, është përgatitur për të mbuluar “dështimin 4-vjeçar në shëndetësi”.

Hoti ka thënë se shumica e neneve të këtij projektligji janë pothuajse identike me ligjin ekzistues, që është miratuar në vitin 2014.

‘Shkalla e kontributit mbetet e njëjtë, 3.5% nga punëdhënësi dhe 3.5% nga punëtori. Është shtuar mundësia që Fondi të ofrojë sigurime shëndetësore vullnetare sikurse siguruesit e licencuar në sektorin privat. Janë definuar pak më në detaje disa elemente, në veçanti sa i përket personave të varur nga i siguruari dhe të tjerët që duhet të mbulohen me sigurim nga shteti”, ka shkruar Hoti, derisa ka publikuar një tabelë me dallimet.

Sipas Hotit të gjitha këto, do të mund të bëheshin me plotësim-ndryshimin e ligjit.

Ai ka renditur kritika për menaxhimin e sektorit të shëndetësisë nga Qeveria Kurti.

“Pas katër vitesh në qeverisje: Nuk janë funksionalizuar sigurimet shëndetësore, Nuk është funksionalizuar sistemi informatik shëndetësor, Është bërë kaos me listën e barnave esenciale, Furnizimi me barna është joefikas, Emigrimi i mjekëve dhe stafit ndihmës mjekësor është 50% më i lartë se para vitit 2021, Buxheti për shëndetësi është larg nivelit të kërkuar me standarde evropiane, ku Kosova shpenzon vetëm 3.5% të PBB-së në shëndetësi, krahasuar me 6% të PBB-së sa janë standardet evropiane, Investimet kapitale janë tepër të ulëta për të arritur modernizimin e institucioneve shëndetësore”, ka shkruar Hoti.