Si i priti Komisioni për demarkacionin deklaratat e Ambasadës amerikane?

E publikuar: 15/11/2017 17:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Florim Isufi, anëtar i Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi ka treguar për Express se si e kanë pritur deklaratën e ashpër të ambasadës Amerikane për Demarkacionin. Isufi thotë se mirëpresin çdo deklaratë nga kushdo, madje janë të gatshëm të presin edhe iniciativa të tjera nga kori diplomatik që të bëhen pjesë e këtij misioni. Por ai sqaron se prezantimi i së hënës nuk kishte paraqitje të raportit por vetëm analizë e punës së komisionit paraprak.

Ambasada Amerikane e Kosovës, zgjodhi që t’i drejtohet shumë ashpër Qeverisë Haradinaj dhe komisionit që po merret me shënjimin e kufirit me Malin e Zi, duke thënë se Marrëveshja ekzistuese pasqyron një proces të saktë të përcaktimit të kufirit dhe se pohimet e këtij komisioni janë të pabazuara, çorientuese, dhe të gabueshme.

Por njëri nga anëtarët e këtij Komisioni, Florim Isufi, thotë se ajo që u prezantua të hënën nuk ishte ndonjë raport i punës së tyre, por vetëm analizë e punës që ka bërë komisioni paraprak. Derisa duke e komentuar reagimin e ambasadës amerikane, Isufi, bën të ditur se janë të gatshëm të mirëprsin çdo deklaratë madje edhe bashkëpunimin e tyre.

“Ne si pjesë e strukturës profesionale të Kosovës mirëpresim çdo deklaratë, iniciativë edhe të çdo kori diplomatik, pse jo edhe profesional e politik të shteteve mike, në rastin konkret edhe të shteteve te Amerikës. Ndërsa sa i përket raportit, duhet ta dini se ne ende nuk e kemi raportin dhe nuk mund të vlerësohet, raporti kur s’kemi raport”, u shpreh Isufi.

Ai kërkon nga Komisioni për Integrime para të cilëve edhe raportuan të hënën, që të qartësojnë se nuk kanë dërguar asnjë raport në drejtim të tyre, siç edhe kanë deklaruar këta të fundit.

“Duhet të qartësohet se ne nuk kemi dërgua raport sepse nuk e kemi përfunduar, por takimi ka qenë që t’i informojmë për punën të cilën na ka dhënë qeveria e Kosovës që të bëjmë një analizë dokumentacionit të komisionit paraprak, atë e kemi bë dhe kemi punuar për disa të gjetura që i kemi gjet në atë dokumentacion”, shtoi ai ndër tjerash.

E duke folur për afatin se kur do të prezantohet raporti Final Isufi tha se kjo do të ndodh shumë shpejtë, por që për shkak të presionit të kohës nga këto të gjetura, të kenë kujdes nga lëshimi i ndonjë gabimi.

Sidoqoftë, për Express, rreth qëndrimeve të Ambasadës Amerikanë, u deklarua edhe Qeveria Haradinaj.

Halil Matoshi, shef i shtabit për Informim, tha për Express të mërkurën se i kuptojnë shqetësimet e miqve ndërkombëtarë, por qëllimi i tyre përmes këtij Komisioni është të arrihet në një zgjidhje./GazetaExpress/