Si dështoi Isa Mustafa edhe në provën e katërt me LDK’në?

E publikuar: 11/06/2017 23:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri në largim i LDK’së, Isa Mustafa e kishte nisur me ambicie të mëdha udhëheqjen e LDK’së, ndoshta me synimin për ta kthyer primatin në skenën politike. Por, ai tani po e përjeton humbjen e katërt. Së pari e humbi Prishtinën, për të humbur pastaj edhe në 3 palë zgjedhje. Ndoshta, kjo është humbja vendimtare e Mustafës për ta lënë kreun e LDK’së. Sidmos nëse LDK radhitet në e treta pas Vetëvendosjes.

Isa Mustafa ishte parë si shpresë për LDK-në kur kishte marrë udhëheqjen e Partisë prej shefit të tij, Fatmir Sejdiu. Në nëntor të vitit 2010, Isa Mustafa, mori udhëheqjen e LDK-së në një garë të cilën deri në momentin e fundit e mohoi se do të sfidonte Sejdiun. Atëkohë, Mustafa mori shumicën e votave në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Në zgjedhjet që pasuan, Mustafa dështoi të dilte i pari dhe u rendit pas PDK-së së Hashim Thaçit.

Tri vite më vonë, kryetari i LDK-së përjetoi humbjen tjetër. Në fund të vitit 2013, Mustafa dështoi të fitonte Prishtinën përballë Shpend Ahmetit.

Pavarësisht dy humbjeve, LDK-ja kishte vendosur të rrugëtonte me liderin që kishte renditur humbjet.

Humbjen e tretë, Mustafa e përjetoi, përsëri si kryetar i LDK-së. Në zgjedhjet e vitit 2014, ai dështoi përballë PDK-së, e cila doli e para por s’mundi të formojë Qeverinë për më shumë se gjashtë muaj. Në atë kohë, Mustafa nuk dha dorëheqje prej pozitës së kryetarit të LDK-së, por u bë bashkë me AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen.

Kryetari i LDK-së më 17 korrik, 2014, ishte bërë kryetar i Parlamentit në mënyrë kundërkushtetuese, meqë kjo pozitë me kushtetutë i jepej partisë së parë që ishte PDK-ja.

Mustafa prishi koalicionin me opozitën dhe iu bashkua PDK-së duke u bërë kryeministër, pozitë këtë që e mbajti vetëm dy vite e gjysmë. Përsëri PDK-ja me ndihmën e opozitës rrëzoi Qeverinë.

Kryetari i LDK-së duke tentuar të evitonte humbjen e katërt vendosi të mos kandidonte fare për pozitën e shefit të Qeverisë dhe as për pozitën e deputetit.

Në vend të tij doli Avdullah Hoti. Mirëpo, përzgjedhja e tij doli se ishte dështimi i radhës për LDK-në dhe Isa Mustafën.

Edhe kësaj radhe, bazuar në rezultatet preliminare, LDK-ja s’po konkurron për vend të parë, por për vend të dytë me Lëvizjen Vetëvendosje. Madje, disa rezultate partinë e themeluar prej Ibrahim Rugovës e nxjerrin si partinë e tretë.