“Shumë e rëndë”, flasin nga familja që humbi katër anëtarë në aksidentin në Bullgari

E publikuar: 25/11/2021 08:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Familja Iseni nga Komuna e Studeniçanit në Maqedoninë e Veriut ka humbur katër anëtarë të saj në aksidentin me autobus, që ka ndodhur në Bullgari, mëngjesin e 23 nëntorit. Dyzet e pesë veta kanë vdekur në këtë fatkeqësi – në mesin e tyre edhe 12 fëmijë. Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie kombëtare.

Shtatëmbëdhjetë nga 45 viktimat e aksidentit rrugor në Bullgari janë nga Komuna e Studeniçanit në Maqedoninë e Veriut.

Një ditë pas fatkeqësisë, fshatin e kishte kapluar zija dhe pikëllimi.

Familja Iseni ka humbur katër anëtarë të familjes, në mesin e tyre edhe Anisën – një vajzë 14-vjeçe.

“Ky është lajmi më i keq për familjen tonë. Katër anëtarë përnjëherë në një rast kaq tragjik, në atë zjarr masiv të digjen njerëzit e gjallë…Nuk di…as fotografitë t’i shikojmë dhe as lajmet t’i dëgjojmë…aq jemi thyer. Ne kemi raste që kemi përjetuar si popull, por kjo është shumë e rëndë, kur të vjen në shtëpi, në derën tënde, në familje”, thotë xhaxhai i Anisës, Fati Iseni.

Nëna e Anisës, Fikrija, ka vdekur po ashtu. Ajo ka qenë mësuses në shkollën fillore të fshatit “Naim Frashëri”. Në nderim të saj, shkolla, më 23 dhe 24 nëntor, ka mbajtur mësim me orar të shkurtuar.

“Dje (23 nëntor) assesi nuk ishim në gjendje të realizojmë procesin mësimor, për shkak të humbjes së koleges sonë, mësueses së vyeshme, të respektuar, punëtore e cila ka kontribuar disa vite në këtë shkollë”, thotë Ramadan Xhaferi, pedagog i kësaj shkolle.

Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë, në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit.

Hetimet për shkakun e zjarrit kanë nisur. Në mesin e viktimave janë gjithsej 12 fëmijë, përfshirë du vëllezër binjakë nga 4 vjeç.

Shumica e udhëtarëve ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë. Shtatë persona kanë shpëtuar dhe janë dërguar me djegie në spital.

Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie për viktimat. Ditë zie kanë shpallur edhe Kosova dhe Bullgaria.